Ambasada e Shqipërisë shënon festën e 28 Nëntorit
Prishtinë, 26 nëntor - Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka shënuar festën e 28 Nëntorit, si një prej datave më të rëndësishme për shqiptarët.
Ambasadori Qemal Minxhozi, liderë institucional e politik shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave në Shqipëri, vend ky që u godit nga disa tërmete gjatë mëngjesit të hershëm të së martës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se sot ka qenë ditë solidariteti, ku në ambasadë janë shënuar mbi 2500 thirrje të qytetarëve të cilët kanë shprehur gatishmëri të ofrojnë ndihma për familjet që pësuan nga goditja në Shqipëri.
“Solidaritet kombëtar i jashtëzakonshëm, i paperceptueshëm. Ju jap vetëm një fakt, më Ambasadën e Shqipërisë sot janë regjistruar mbi 2500 telefonata, një pjesë shume e vogël njiheshin, të tjerët ishin njerëz që kishin vetëm emrin dhe shpirtin shqiptar."
"Ofruan solidaritetin e tyre, dikush thoshte nuk kam çfarë jap, kam një shtëpi në Golem janë çelësat e shtëpisë ku t’i dorëzojë, dikush tjetër thoshte të vinë në Prishtinë, kam apartament bosh, kam një shtëpi, dikush tjetër thoshte ku te dorëzojë disa plaçka që kam, ku të dorëzojë një batanije, ku të dorëzojë një çadër. Dhe në gjithë këtë solidaritet spikatëm të gjitha vendet e rajonit, ishin një me Shqipërinë, por në ballë Kosova, faleminderit Kosovë”, tha Minxhozi.
Ai tha se shqiptarët kanë forcë dhe energji për të tejkaluar këtë situatë dhe solidariteti i treguar i bën krenarë të gjithë për lidhjet që kanë shqiptarët mes vete, pavarësisht kufijve .
Nderkaq kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, shprehu gatishmërinë e shtetit të Kosovës për t’i dalë në ndihmë banorëve andej kufirit, ku theksoi vendimet që Qeveria e Kosovës i ka marrë sot në orët e hershme të mëngjesit, duke nisur për Shqipëri njësitë e Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
"Nën hijen e këtij flamuri, populli i Kosovës nisi luftën çlirimtare, bijat dhe bijtë e vet më të zgjedhur dhe e fitoi lirinë për çka bota e lirë e prire nga Amerika u rreshtua krah nesh dhe kundër boshtit të së keqes."
"Pavarësia e Kosovës e ka qetësuar përfundimisht Ballkanin, kurse dy vendet tona përkasin sot në botën të cilës i prinë Amerika dhe paqja e stabiliteti rajonal janë edhe më gjerë në duar tona."
"Kosova dhe Shqipëria duke qenë të lidhura jo vetëm për nga vlerat, por edhe me trupa me NATO-n, shteti shqiptar si anëtar me te drejta të plota, e Kosova si partnere e ushtrive të paqes, pra jam i lumtur që ne shqiptarët jemi të zotët të garantojmë paqen dhe të mbajmë premtimin aleatëve që gjithmonë do të mbrojmë pragun e lirisë dhe paqen”, tha ai.
Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës, tha që sot në këtë ngjarje kremtimi nuk mund të mos shprehen ngushëllime për njëri-tjetrin, për ata që fatkeqësisht humbën jetën nën gërmadhat nga një termet, që siç tha Kurti e tronditi gjithë kombin, e jo vetëm Durrësin.
Ndërsa për festën e 28 Nëntorit, Kurti tha se është e shumëfishtë për kombin shqiptar.“28 nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar, është Dita e Flamurit, është Dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar, kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar, që na bënë të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat dhe dëshirat tona, e të cilat janë edhe ideali i dëshmorëve, i martirëve të kombit, por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë dhe të fëmijëve tanë."
"Flamuri kuq e zi, flamuri i kuq me shkabën e zezë dy krenare, në mes ka qenë përgjatë historisë flamuri i rezistencës që na ka shpie përpara, por njëkohësisht edhe ka theksuar atë që nuk është realizuar ende. Politikisht, historikisht do të ngelet edhe më tej i tillë”, tha Kurti.