Ambasada e SHBA-ve: Kosova, e aftë për zgjedhje të besueshme
Prishtinë, 2 dhjetor - Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, përmes një deklarate për media, ka përgëzuar të gjithë qytetarët e Kosovës që votuan të dielën për të siguruar se zëri i tyre është dëgjuar në procesin demokratik të Kosovës.
SHBA-të presin të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur rregullisht ndërsa ata përqendrohen në punën e rëndësishme të qeverisjes dhe në zbatimin e politikave dhe programeve të cilat i shërbejnë nevojave dhe interesave të komunave të Kosovës.
Mbesim të përkushtuar për të ndihmuar zhvillimin e komunave të Kosovës, përfshirë komunat funksionale, si dhe për investimet në bashkësitë në veri të Kosovës, thuhet nël deklaratën e SHBA-ve.
SHBA vlerëson se raportet fillestare sugjerojnë se Kosova ka ruajtur përmirësimet e bëra në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe këto tregojnë se Kosova është plotësisht e aftë që të zhvillojë zgjedhje të besueshme dhe transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ne inkurajojmë udhëheqësit të cilët kanë treguar guxim dhe përkushtim në mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta që të mbështeten në këtë momentum pozitiv për të kaluar një reformë të vërtetë zgjedhore në përputhje me aspiratat evropiane të Kosovës, thuhet më tej në deklaratë.
Ambasada e SHBA-së po ashtu falënderon partnerët ndërkombëtarë, përfshirë OSBE-në, EULEX-in, dhe KFOR-in, të cilët garantuan se të gjithë qytetarët mund të votojnë në një proces të sigurt, dhe i presim raportet e vlerësimeve fillestare nga Misioni Monitorues i BE-së.
Suksesi i qartë i këtyre zgjedhjeve lokale tregon edhe një herë fuqishëm se Kosova është shtet sovran që kontrollon tërë territorin e saj gjë që vetëm sa e përforcon kredibilitetin e saj si një demokraci në ardhje e cila ka një perspektivë të vërtetë evropiane, thuhet në fund të deklaratës për media nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.