Ambasada e SHBA: Procesi zgjedhor ishte kryesisht efikas
Prishtinë, 13 dhjetor - Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgëzon popullin e Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë.
Zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ne ishim të ngazëlluar që pamë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit.
Kosova tash ka përpara saj një test gjersa numërohen votat. Institucionet e Kosovës duhet ti tregojnë opinionit publik se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e të drejtës për të votuar.
Vëzhguesit amerikanë ishin të pranishëm nëpër qendrat të votimit kudo nëpër Kosovë më 12 dhjetor dhe ata vëzhguan një proces, që me disa përjashtime serioze, ishte kryesisht efikas.
Ambasadori Dell vëzhgoi zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi në komunat e Gllogocit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt.
Ambasadori po ashtu vëzhgoi numërimin e votave në shkollën e mesme Hamëz Jashari në Skenderaj (vendvotimi 2101x/02R). Aty pati parregullsi gjatë numërimit të cilin Ambasadori e vëzhgoi, kundërshtoi dhe e raportoi. Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve.
Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skenderaj dhe në Gllogoc.
Ne nxisim të gjithë vëzhguesit që kanë qenë dëshmitarë të parregullsive më 12 dhjetor të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë që mbrojnë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë dhe integritetin e demokracisë së Kosovës. Ekzistojnë procedura dhe afate kohore të qarta të cekura në Ligjin për zgjedhje në Kosovë që sigurojnë rishikim transparent të rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve.
Vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm dhe opinioni publik do të kthehet kah vëzhguesit që ishin të pranishëm më 12 dhjetor për të dhënë mendimet e tyre të sinqerta te Komisioni Qendror Zgjedhor dhe te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ne besojmë që këto institucione do të ndërmarrin veprimet e duhura për të siguruar që zgjedhjet e Kosovës do të mbrojnë qëllimin e votuesve.