06 Maj 2024

Ambasada e Kosovës në SHBA shënon pesë vjetorin e pavarësisë

Uashington, 28 shkurt – Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka organizuar një pritje solemne për shënimin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë manifestim kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë dhe Kongresit të SHBA-ve, ambasadorë dhe diplomatë të huaj, zyrtarë të organizatave ndërkombëtare, bashkatdhetarë me qëndrim në SHBA si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse, ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, ka vlerësuar rëndësinë e shënimit të pesë vjetorit të shtetit plotësisht sovran të Kosovës në SHBA, duke iu referuar faktit se shtatorin e kaluar u shënua përfundimi formal i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ismaili ka thënë se festimet janë momente të rëndësishme për të vlerësuar punën, dedikimin dhe sakrificat e bëra për paqe dhe pavarësi.


“Ne çmojmë punën e palodhshme të shumë amerikanëve, grupeve dhe individëve, po ashtu edhe të liderëve amerikanë, politikanëve të të  gjithë krahëve, të cilët u bënë bashkë për të përmbysur trendin e vuajtjeve dhe shkatërrimit”, tha Ismaili.
 
Gjatë fjalimit, ambasadori Ismaili po ashtu vlerësoi punën dhe sakrificat e komunitetit Shqiptaro-Amerikan, të cilët kanë investuar me të gjitha mjetet që të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme me liderët politik të SHBA-ve, duke filluar në lokalitetet e tyre.
 
“Partneriteti që ata kanë iniciuar dhe e kanë ndërtuar, ne do të vazhdojmë ta rrisim dhe ta kultivojmë së bashku”, tha ambasadori Ismaili, duke shtuar se ngjarje të tilla janë po ashtu një moment që të shikojmë përpara dhe se integrimi i plotë në bashkësinë ndërkombëtare dhe integrimet euroatlantike janë prioritet kryesor i Kosovës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, u.d i zëvendës asistentit të sekretarit të Shtetit, Jonathan Moore, ka rikujtuar lidhjet e tij të hershme me Kosovën, duke treguar një gazetë në të cilën ai ishte fotografuar duke përshëndetur ish-presidentin Rugova.

Moore më pas ka lexuar letrën që presidenti Obama i ka dërguar presidentes Jahjaga, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e admirojnë progresin që ka bërë Kosova në pesë vjetët e pavarësisë. Në letër po ashtu riafirmohet përkushtimi i Amerikës për të ardhmen evropiane, integruese, demokratike dhe prosperuese të Kosovës.

Kongresisti Eliot Engel, anëtar i lartë i Komitetit për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, po ashtu ka përshëndetur të pranishmit në këtë pritje. Engel tha se populli i Kosovës ka shënuar të arritura të mëdha për të cilat duhet të jetë krenar dhe ka siguruar të pranishmit se “Shtete e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten gjithnjë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)