Ambasada Britanike kërkon të adresohen dobësitë në sistemin zgjedhor
Prishtinë, 13 qershor - Ambasada Britanike në një komunikatë për media është shprehur se e mirëpresin raportin preliminar të Misionit Vëzhgues të BE-së dhe konkluzionet e tij.
\"Një demokraci e fortë dhe një sistem i shëndoshë zgjedhor është jetik për përparimin e Kosovës\", thuhet në komunikatë.
Ambasada shprehet se kënaqur që zgjedhjet u zhvilluan në një mënyrë shumë paqësore dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës ishin në gjendje të shprehnin vullnetin e tyre demokratik përmes votës.
Gjithashtu, ambasada përgëzon shoqërinë civile për rolin e saj të rëndësishëm në vëzhgimin e zgjedhjeve.
\"Megjithatë, raporti preliminar vë në dukje një numër shqetësimesh përfshirë edhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës, votimin jashtë Kosovës si dhe listat e pasakta të votuesve\", thuhet në kumtesë.
Ambasada Britanike shprehet se shpreson që autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin veprime ndaj atyre që janë përfshirë në frikësime apo keqpërdorime zgjedhore dhe të punojnë pa humbur kohë për të adresuar dobësitë e identifikuara në sistemin zgjedhor.