Aliu: Rezoluta u miratua për të shuar ankthet e Serbisë
Prishtinë, 24 prill - Edhe pse nuk arriti të ndalojë në Kuvend votimin e Rezolutës, deputeti i lëvizjes Vetëvendosja Liburn Aliu, vazhdon të këmbëngulë se Rezoluta e miratuar minon shtetin e Kosovës dhe se ajo bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.
Gjatë një interviste për "Tribunën", Aliu ka thënë se marrëveshja por edhe dokumenti që ka votuar Kuvendi, e nënshtruan Kosovën kundrejt Serbisë.
Ai madje ka paralajmëruar se kjo fazë e zhvillimeve jep sinjale të qarta se Prishtina do të bëjë koncesione të reja në raport me Serbinë.
Me këtë Qeveri dhe këtë politikë një gjë e tillë është e pashmangshme, ka vlerësuar Aliu. Deputeti i cili i ka qëndruar afër kryeparlamentarit Jakup Krasniqi duke i kërkuar ndërprerjen e seancës, ka mohuar se i ka bërë trysni atij.
Sipas Aliut, kryetari i Kuvendit atë natë ka qenë në nivel të detyrës. Kryeparlamentari Krasniqi thirrej në rregullore, ka deklaruar ai.
Aliu ka thënë se i di edhe arsyet se pse kryeministri Hashim Thaçi është përpjekur që me çdo kusht, pikërisht atë natë, ta fusë në votim rezolutën për njohjen e marrëveshjes. Kjo, sipas tij, është bërë me qëllim për ti kënaqur apetitet e Beogradit.