18 Janar 2025

Aliu: Komuna favorizoi një kompani

Ferizaj, 3 shtator - Nënkryetari  Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Ferizaj, Lulzim Aliu, ka deklaruar se kompania financiare “Vllesa co” shpk është favorizuar, në mënyrë të paligjshme, duke iu mundësuar asaj që të bëjnë pagesat e qytetarëve për të gjitha dokumentet që nxirren brenda komunës përfshirë edhe taksat.

Aliu këto komente i bëri të shtunën në një  konferencë për shtyp. “Partia Demokratike e Kosovës  edhe me këtë konferencë po përpiqet që në vazhdimësi të kryej obligimin e vet qytetar dhe ligjor që e ka marrë në dhjetor të vitit 2013. Qëndrimi ynë i përhershëm karshi pushtetit ka qenë, është dhe do të jetë qëndrimi konstrukiv dhe progresiv. Qëllimi ynë kryesor ka qenë dhe është që, edhe më tutje, në vend të një qeveresisje paushalle, të imponojmë një qeverisje të bazuar në rregulla dhe ligje. Ndërsa shumë shqetësuese për ne është fakti se, përkundër kujdesit tonë, vërejtjeve të vazhdueshme, këshillave kolegiale si në mbledhjet e Kuvendit të Komunës ashtu edhe në prononcimet tona publike, Kryetari i Komunës së Ferizajt po tregohet tekanjoz dhe mospërfillës”, ka thënë ai. Sipas tij përkrahja  e paligjshme që i është bërë nga Qeveria e Kosovës, në rastin kur Grupi Parlamentar i PDK-së, në mënyrë të argumentuar, pat kërkuar suspendimin e tij, e ka bërë Muharrem Svarqën të ndjehet i paprekshëm.”Mosrespektimi i ligjeve që e rregullojnë shpenzimin e parasë publike dhe menaxhimin e pronës së komunës është rrezik i madh për shtetin tonë. Përpos dëmeve të mëdha materiale që qeverisja paushalle e Svarqës po i bën vendit, më e rënda është ajo që, monarkia që ka ndërtuar ai, po shkakton jo besim të pariparueshëm të qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Sipas tij për atë që kemi parë në tri vitet e udhëheqjes së Muharrem Svarqës konkludimi është i pashmangshëm: ai është jo vetëm cenues i Kushtetutës së Kosovës por është përdhunues i saj. “Me keqardhje, të nderuar qytetarë të Ferizajt, më duhet të dëshmoj se ai, Kryetari i Komunës sonë, jo vetëm në të kaluarën, por edhe tash, i ka shkelur dhe po i shkel të gjitha ligjet, ama bash të gjitha ligjet, që e rregullojnë funksionimin e pushtetit në nivel lokal Asnjë euro e parasë publike nuk mund të harxhohet nga Qeveria lokale dhe asnjë cm e pronës së komunës nuk mund të ipet në shfrytëzim nga Kryetari pa vendim të Kuvendit dhe pa procedura të hapura të konkurrimit”, ka deklaruar ai.

Aliu ka thënë se dëshmia e sotshme është një kontratë për dhënien e pronës së komunës me qera e cila është bërë në mënyrë rreptësisht të ndaluar”.

“Fjala është për një hapsirë brenda objektit të komunës, mu në hyrje të sallës së Kuvendit, të cilën kryetari i komunës, me datën 07.07.2016, ia ka dhënë për shfrytëzim, në mënyrë të parregulltë, kompanisë “Vllesa co” Shpk  nga Suhareka”, ka thënë ai.

Sipas tij në këtë rast kompania financiare “Vllesa co” shpk është favorizuar, po ashtu në mënyrë të paligjshme, që të mundësojë pagesat e qytetarëve për të gjitha dokumentet që nxirren brenda komunës përfshirë edhe taksat.”Sipas Ligji Nr. 04/L-144 PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS, neni 5 pika 1, Procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër, realizohen përmes konkurrencës së hapur publike dhe procedurave të parapara me këtë ligj.Sipas nenit 7 të po këtij ligji, Kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës për miratim paraprak pronën e paluajtshme të Komunës për dhënien në shfrytëzim personave fizik dhe juridik, duke paraqitur arsyet dhe interesin publik. Ndërsa në Nenin 10, ku shpjegohet Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës për rastet e veçanta, ky rast nuk është i përfshirë”, ka thënë ai. Duke shtuar se në rastin e lidhjes së marrëveshjes në mes të komunës dhe “Vllesa co” shpk nga Suhareka nuk është respektuar asnjë procedurë e paraparë me ligjin e vetëm që e rregullon këtë çështje.

“Si përfundim, ftojmë sërish Prokurorin e Shtetit që të ndërmarr masa konkrete për të mbrojtur vendin tonë që të mos rrëshqas drejt anarkisë”, ka thënë Aliu.


















 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)