Ali Halimi, kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Shtërpcës
Prishtinë, 12 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Shtërpcë mbajti konferencë për media duke shpallur kështu rezultatet e zgjedhjeve të brendshme si dhe kandidatin për Kryetar të Komunës së Shtërpcës, i dalë nga këto zgjedhje.
Ditën e premte, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në mbrëmje, anëtarët e 4 pikave të Vetëvendosje!-s në Shtërpcë, kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë.
Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur ditën e premte në zyrën e Lëvizjes në Shtërpcë.
Kemi pritur 24 orë dhe pranë Komisionit Zgjedhorë ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Në fund ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores së zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!.\"
\"Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidatin për kryetar komune në Shtërpce, z.Ali Halimi, i cili ka fituar 100 % të votave, tha Xhemal Hazizi nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Pas tij, fjala ishte për kandidatin e Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Shtërpcës, z.Ali Halimin. Ai falënderoi aktivistët e Qendrës së Shtërpcës, për besimin që i dhanë përmes këtij procesi zgjedhor. Duke folu për gjendjen e rëndë ekonomike në këtë komunë, z.Halimi tha se Shtërpca ka nevojë për një qeverisje ndryshe.
Shtërpca ka nevojë për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje!. Ka nevojë për një administratë profesionale, joneglizhente, të pakorruptuar dhe jonepotiste. Qytetarët e Shtërpcës kanë nevojë për ujë të pijshëm. Bujqit e Shtërpcës kanë nevojë për subvencione. Shtërpca ka nevojë për mbrojtjen e resurseve të saja pyjore, të cilat po shkatërrohen nga prerësit ilegalë, e mbi 50% e të cilave menaxhohen nga strukturat paralele të Serbisë, tha Halimi.
Ai ndër të tjera foli edhe për shëndetësinë e degraduar, duke shtuar se për shkak të papërgjegjësisë, shëndetësia funksionon 4-5 orë në ditë, dhe si rrjedhojë qytetarët kërkojnë ndihmë në strukturat paralele të shëndetësisë.
Kryetari i VetëvendosjeS!, Albin Kurti, tha se me 3 nëntor në Shtërpcë do ti kemi ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme, të cilat shprehen jo vetëm në aspektin socio-ekonomik, por edhe atë politik e institucional, sepse dihet që Republika e Kosovës, si shtet, nuk është plotësisht e shtrirë në këtë komunë dhe vazhdon të sfidohet nga strukturat ilegale e kriminale të Serbisë.
Kjo është arsyeja se pse këto zgjedhje të brendshme të Lëvizjes për kandidat për kryetar komunë e kanë një rëndësi të jashtëzakonshme tha Kurti, duke shtuar se zgjedhja e Ali Halimi është e drejtë dhe e mirë për Komunën e Shtërpcës.
Halimi vjen nga një familje e shquar patriotike, ku babai i tij Rexhepi ka qenë një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Halimi ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, degën e Historisë, kurse studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në degën e Administratës Publike. Gjatë viteve 2002-2004 ka punuar si arsimtar, kurse në vitet 2004-2008 ka udhëhequr zyrën për komunitete në Shtërpcë. Prej vitit 2007 e deri në vitin 2009 ka qenë nënkryetar i Komunës së Shtërpcës, tha Kurti.
Duke folur për Brezovicën, që e ka bërë komunën e Shtërpcës të famshme jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, Kurti tha kjo qendër turistike paraqet një nga potencialet më të mëdha për zhvillimin e turizmit dimëror dhe veror të Shtërpcës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi.
Me rreth 2.500 Ha hapësirë, në lartësinë mbidetare 1718-2522 m, Brezovica ofron kushte të favorshme për skijim. Përbrenda kësaj hapësire, janë shtigjet e skijimit me gjatësi mesatare rreth 4 km, dhe me një lakueshmëri prej 38 %. Në këto pjesë, bora qëndron deri në 280 ditë, theksoi Kurti.
Ai shtoi se Brezovica me gjithë këtë potencial, në vend që të shënojë zhvillim për qytetarët e komunës dhe për gjithë Kosovën, vazhdon të kontrollohet nga strukturat kriminale e ilegale të Serbisë, të cilat edhe dirigjohen edhe financohen nga Beogradi. Pikërisht për këtë arsye, progresi i Shtërpcës është peng i këtyre strukturave të cilat tërë kohën bëjnë çtë duan me çdo temë ekonomike, sociale, kulturore e arsimore në këtë komunë.
Ai përmendi edhe Fabrikën e Drurit, edhe Fabrika e Metalit, të cilat vazhdojnë të jenë peng i këtyre strukturave, ku që prej viti 1990 kur janë dëbuar shqiptarët nga puna, vazhdon të mos punojë asnjë shqiptar.
Shpeshherë është e pamundur të bëhet dallimi mes Komunës legjitime të Shtërpcës dhe strukturave paralele, krejt kjo për faktin së këto struktura veprojnë brenda vetë objektit komunal të Shtërpcës. Strukturat paralele shfrytëzojnë gjashtë zyre brenda objektit komunal, dhe mbledhjet e Kuvendit i mbajnë në ndërtesën e komunës legjitime.\"
\"Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Dimitrije Raçiqeviq, lëshon dokumente zyrtare pa logon e Republikës së Kosovës (vetëm me logo komunale), ndërsa Drejtoria e Kadastrës fletë posedimet e tokave i lëshon ende me logo të UNMIK-ut. Nëpër dyer të zyrave komunale është vetëm emblema e komunës, ndërsa ajo e Republikës së Kosovës mungon, tha Kurti, teksa po fliste për raportin e vitit 2012 të Institutit GAP për Komunën e Shtërpcës, duke theksuar se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për shpërbërjen e strukturave kriminale e ilegale të Serbisë në Kosovë, por për më tepër, me negociatat e vazhdueshme Thaçi-Daçiç, këto strukturat tash edhe do të legalizohen e sforcohen.
Koncepti politik, alternativa qeverisëse dhe vetë organizata e Lëvizjes sonë, tash me në krye kandidatin Ali Halimi për Kryetar të Komunës së Shtërpcës, janë kombinimi fitues për komunën dhe qytetarët e Shtërpcës.