Albin Kurti nuk do të paraqitet as sot në gjykatë
Prishtinë, 22 shkurt - Lideri i Lëvizjes 'Vetëvendosje', Albin Kurti nuk do të paraqitet as sot në Gjykatën e Qarkut, ku pritet të rifillojë seanca gjyqësore kundër tij.
Aktivisti i Lëvizjes 'Vetëvendosje', Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kurti nuk do të paraqitet në asnjë seancë, pasi e konsideron të tërë procesin si të padrejtë.
Ndërkohë, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, njoftoi se për gjashtë ditë kanë mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër procesit gjyqësor ndaj Kurtit.
Kurti akuzohet për organizimin e një turme që "ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007".