Aktivistë nga Shqipëria i bashohen Vetëvendosjes
Prishtinë, 8 janar - Autobusët nga Tirana nisen në datën 14 janar, në ora 7:00 të mëngjesit, në sheshin Skënderbej, para Pallatit të Kulturës, ka qenë statusi i udhëheqësit të Sekretariatit për Komunikim me Media të lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, dhe aktivistëve tjerë të subjektit të Albin Kurtit, në rrjetin social Facebook.
Njoftimi ka qenë i dedikuar për të gjithë ata të cilët konsiderojnë se duhet të bëhen pjesë e aksionit të Vetëvendosjes për mbylljen e kufirit me Serbinë te Dheu i Bardhё dhe nё Merdar më 14 janar, në mbrojtje të mocionit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë pas moszbatimit të tij nga Qeveria e Kosovës.
Sekretari organizativ i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka konfirmuar për Koha Ditore pjesëmarrjen edhe të qytetarëve të Shqipërisë.
Kanë filluar organizimet edhe prej Shqipërisë për të ardhur më 14 janar në Kosovë. Shumë qytetarë atje kanë shprehur dëshirën për të qenë në Kosovë atë ditë. Ne do ta kemi një vizitë gjatë javës në Shqipëri dhe atëherë do të mund të marrim vesh se sa veta do të vijnë, ka thënë Molliqaj.
Sekretari organizativ i Vetëvendosjes ka komentuar edhe paralajmërimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili të premten, në një takim me strukturat e larta të Policisë së Kosovës, ka thënë se nuk do të tolerohet asgjë që bie ndesh me ligjin.
Bajram Rexhepi nuk e ka të njëjtin zell ndaj strukturave ilegale dhe njerëzve të korruptuar në Kosovë dhe krimit të organizuar, por vetëm ndaj Vetëvendosjes, ka thënë Molliqaj, sipas të cilit, pas publikimit të fundit të skemave të krimeve nëpër media, është parë mirë se kush është në të vërtetë ministri aktual i MPB-së dhe me çfarë persona mbanë miqësi.
Molliqaj përgjigje ka pasur edhe për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shanihi, i cili është deklaruar kundër mbështetjes së aksionit të Vetëvendosje.
Ne nuk presim përkrahje prej njerëzve të cilët kanë biznese dhe importojnë prej Serbisë. Nuk presim mbështetje prej një Agjencie e cila ka brenda biznesmenë të cilët importojnë mallra edhe prej Serbisë, ka thënë ai. Ne kemi përkrahje prej prodhuesve vendorë.