AKR, shpreh shqetësimin për raportin e SHBA-se për Kosovën
Prishtinë, 14 qershor - Aleanca Kosova e Re, shpreh thellësisht shqetësimin e saj, lidhur me përmbajtjen e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Kosova vlerësohet si burim, transit dhe vend i destinimit për femra dhe fëmijë, të cilët janë subjekt i trafikimit të personave, në mënyrë specifike i prostitucionit të detyrueshëm dhe i fëmijëve, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë.
Kjo gjendje që pasqyrohet përmes këtij raporti, për AKR-në është një betejë tjetër e humbur nga Institucionet vendore, nga Qeveria e Kosovës dhe nga Organet e Drejtësisë, duke e nxjerrë Kosovën si vend ku zhvillohen këto dukuri thellësisht të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë kosovare, për zhvillimin dhe integrimin e vendit, duke dëmtuar thellësisht imazhin e Shtetit të Pavarur të Kosovës.
Ky raport thekson ato dukuri negative që realisht qytetarët e Kosovës i vuajnë në vazhdimësi. Raporte të tilla duhet të jenë alarm për veprim urgjent të organeve të hetuesisë vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë për të ndjekur dhe ndaluar zhvillimin e prostitucionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë.
AKR kërkon nga Policia e Kosovës që të zgjerojë bashkëpunimin në nivel rajonal për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore për të moslejuar edhe më tutje që Kosova të identifikohet me këto dukuri negative, që janë në kundërshtim me vullnetin e shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës.
Institucionet e Qeverisë së Kosovës duhet të veprojnë me shpejtësi për të dhënë fakte në luftimin e këtyre veprimeve kriminale që ndodhin në Kosovë, për të dëshmuar gatishmëri Institucionale në ndryshimin e kësaj gjendje duke mos lejuar sërish që raporte të tilla të mekanizmave të respektuar ndërkombëtarë të japin pasqyrë të tillë për Kosovën e Pavarur dhe Sovrane.