AKR: Rezoluta e suksesshme
Prishtinë, 10 shtator - Aleanca Kosova e Re vlerëson se projekt rezoluta e modifikuar e Serbisë e cila u bashkësponsorizua edhe nga 27 vendet e BE dhe u aprovua mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, paraqet një moment të ri në marrëdhëniet Kosovë- Serbi dhe në veçanti në perspektiven e marrëdhënieve të këtyre dy vendeve me Brukselin.
Nënkryetari i AKR-së Ibrahim Gashi tha se AKR e konsideron të rëndësishme konsensusin ndërkombëtar të arritur mbrëmë, por i konsideron jo racionale deklaratat euforike për kapitullimin e Serbisë. Serbia në raport me Kosovën ka kapitulluar me 12 qershor 1999 dhe gjithë politika e saj në vijim në raport me Kosovën ka qenë përpjekje për rehabilitimin e rolit të humbësit. Edhe epilogun e mbrëmshëm të rrjedhës së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB së duhet parë nga ky këndvështrim, tha ai .
Gashi tha se AKR e konsideron të rëndësishme Rezolutën e aprovuar për Kosovën së paku në tri momente të saj:
Së pari Rezoluta e merr qartë në konsideratë Mendimin e GJND-së lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Së dyti Rezoluta më asgjë në përmbajtjen e saj nuk lenë të kuptohet se do të ketë bisedime për statusin dhe territorin (kufijtë) e Kosovës dhe
Së treti Rezoluta shpreh për herë të parë një unanimitetin e 27 vendeve anëtare të BE-së në raport me pavarësinë e Kosovës. Ky fakt krijon rrethana, besojmë të favorshme, në proceset e përafrimit të Kosovës me BE-në.
Ndërsa për Serbinë tha se Rezoluta duhet konsideruar e rëndësishme për, së paku në dy momente të saj :
Së pari, Rezoluta e miratuar mbrëmë kryefjalë të saj ka fillimin e një dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, me mbikëqyrje nga Brukseli, pa e definuar shumë qartë agjendën e këtij dialogu, përveç pamundësisë për të hapur çështjen e statusit. Konsiderojmë se për Serbinë mbetet rëndësishëm ky formulim edhe i tillë, sepse ajo do të provoj të ngris çështje që kanë të bejnë me poziten e serbëve në veri të lumit Iber ku ka krijuar prej kohesh një realitet që do të mundë ta përdor për minimin e zgjidhjeve qe ofron për atë pjesë pala kosovare, tha Gashi.
Sipas Gashit rezoluta ka qartësuar shume perspektiven e Serbisë në procesin integrues të Serbisë drejt BE-së. Ka shumë të ngjarë se Serbia shumë shpejt do të marr statusin e vendit kandidat, vlerëson Gashi.
AKR konsideron se për institucionet e Kosovës në ditët dhe muajt në vijim mbetet aktivitet primar intensifikimi i lobimit dhe rritja e numrit të njohjeve si mundësi që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës të forcohet dhe përpjekjet obstruktive të Serbisë të pengohen nga një pozicion i barabartë.