AKR: Prokuroria t`i hetojë rastet e manipulimeve zgjedhore
Prishtinë, 15 dhjetor - Aleanca Kosova e Re dhe partnerët e saj duan të sqarojnë pozicionin e tyre lidhur me koalicionet e mundshme pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, por edhe prezantimin e disa qëndrimeve për mosmbarëvajtjen si duhet të procesit zgjedhor.
AKR-ja ka kërkuar sot që të hetohen të gjitha rastet e manipulimeve, ndersa konsideron se në zgjedhjet e 12 dhjetorit është dëmtuar rëndë demokracia në Kosovë.
Kjo parti i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë hetimet për keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë proçesit zgjedhor.
Nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pa u hetuar rastet e keqpërdorimit të votës, nuk mund të ketë institucione legjitime dhe as zgjedhje te tjera të mirëfillta.
I bëjmë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të fillojë me hetimin e rasteve të keqpërdorimeve të cilat kanë ndodhur, qoftë në Skenderaj, Drenas apo kudo në Kosovë.
Sipas Kusari-Lila, Kosova mund të ballafaqohet me një krizë institucionale shumë shpejt, por, sipas saj, nuk mund të ndodhë përmirësimi i gjendjes nëse këta persona nuk sanksionohen.
Nënkryetarja e AKR-së tha se KQZ-ja nuk i ka të gjitha kapacitetet që në tërësi ti hulumtojë të gjitha rastet.
\"Kur ka shkelje serioze deri të kërcënimet e armatosura ndaj komisionerëve, atëhërë nuk ka të bëjë më me deklarime politike por ka të bëjë me hetime nga Prokuroria dhe sanksionime të përsonave përgjegjës.\"