AKR pranon rezultatin preliminar në Rahovec
Prishtinë, 23 nëntor - Aleanca Kosova e Re (AKR), dhe partnerët e saj kanë pranuar rezultatin preliminar në komunën e Rahovecit dhe bën të ditur se do të qëndrojë neutrale karshi balotazhit që pritet të zhvillohet në këtë komunë.
Nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se AKR pranon rezultatin preliminar, respekton vullnetin e qytetarëve te komunës së Rahovecit dhe mbetet e përcaktuar në inkuadrimin për gjetjen e zgjidhjes së problemit ekonomik në të cilin gjendet kjo komunë.
AKR sipas saj nuk do të përkrahë asnjë kandidat për raundin e balotazhit, ku do të ballafaqohen Ibrahim Kryeziu i LDK-së, dhe Xhelal Canziba i PDK-së. Vendimin ajo e arsyetoi, duke thënë se AKR, ka rritje të votave në Rahovec që do të thotë është pozitiv para 12 dhjetorit.
Kusari gjithashtu akuzoi qeverinë në largim, se po e shfrytëzon prezencën në institucione shtetërore për interesa partiake. Roli i qeverisë në dorëheqje vazhdon të funksionojë vetëm për interesa të Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos kursyer makinerinë shtetërore në funksion të kësaj partie. Pjesëmarrja e tyre në aktivitete partiake, i kanë lënë qytetarët pa menaxhim të duhur të institucioneve qendrore të komunave, arsimore dhe shëndetësore, tha ajo.
Ajo përmendi konkretisht mbetjen e pacientëve të sëmurë nga kanceri, pa terapi adekuate për shkak të mungesës së një nënshkrimi nga ministri i Shëndetësisë si dhe premtimin, që ajo e quajti, të pa mbulesë të qeverisë në shkarkim, për rritjen e pagave të mësimdhënësve në kohën kur nuk ka buxhet për vitin 2011.