AKR nominon Mimoza Kusari-Lila në postin e kryeministrit
Beograd, 30 nëntor - Aleanca Kosova e Re (AKR), bashkë me partnerët në koalicion, kanë nominuar sot për kandidatë për postin e kryeministrit të Kosovës nënkryetaren e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli tha \"Është e para femër që kandidohet në historinë e Kosovës për kryeministre. Madje as vendet e rajonit si Shqipëria nuk kanë patur ndonjëherë kryeministre një grua. As nuk e ka kandiduar një grua. Në këtë kuptim kjo ngjarje, ky nominim është diçka unike.\"
Ai tha se vendit i duhet një njeri çfarë është Mimoza Kusari, e cila din ti shtyj proceset përpara dhe ti jap imazh të mirë Kosovës. Ai tha se qeveria e ardhshme duhet të punojë jo për interesa partiake dhe personale, por për qytetarin pasi që gjendet në një krizë të thellë.
Ndërsa, e nominuara për kryeministre të vendit Mimoza Kusari tha se, më 12 dhjetor do të votojnë qytetarët e Kosovës të cilëve qeveritë e deritashme u sollën korrupsion krim të organizuar dhe dështime tjera. Ajo ftoi që në zgjedhjet e ardhshme qytetari të mendoj mirë se për kë do të votojë. Ndërkaq premton se do ta ndërtojë Kosovën ashtu siç e kanë ëndërruar qytetarët e saj.
AKR bashkë me partnerët në koalicion, gjithashtu ka nominuar për zëvendëskryeministër dhe ministër të Ekonomisë dhe Financave Muhamet Mustafën nga grupi i ekspertëve, Agim Çekun për ministër të FSK-së nga partia Social Demokrate dhe Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë që do të udhëheq një nga ministritë e qeverisë së ardhshme e Kosovës.