AKR: Kryeministri Hashim Thaçi po luan lojëra të fshehta
Prishtinë, 23 korrik - Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk po i pëlqen afrimi i partnerit të tyre në koalicion, PDK-së, me AAK-në. Njerëzit e Behgjet Pacollit ndihen të tradhtuar.
Myzejene Selmani thotë se kryeministri Hashim Thaçi po luan lojëra të fshehta. Ajo paralajmëron se nëse AAK-ja hyn në Qeveri, AKR-ja del në opozitë, njofton Gazeta Express.
Partia e Behgjet Pacollit po vazhdon të informohet nga mediat për afrimin e PDK-së dhe AAK-në, si dhe mundësinë e një koalicioni mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt.
Zyrtarët e AKR-së, e cila i ka vetëm tre deputetë në Kuvend, janë zënë në befasi kur kanë lexuar qëndrimet e udhëheqësve të PDK-së, të cilët janë shprehur pro një koalicioni me AAK-në.
Shefja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani ka thënë se nëse realizohet koalicioni mes PDK-së e AAK-së, atëherë Kosova shkon drejt një qeverie teknike.
\"Mirëpo, PDK-ja duhet të ketë kujdes në rast se mendon se duhet të hyjë edhe një parti në koalicion, atëherë definitivisht Kosova po rrëshqet drejt një qeverisjeje teknike. Kjo i bie që të gjitha partitë politike do të jenë në Qeveri\", deklaroi deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani.