AKR: Kosova i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor
Mirëpo sipas Mehmetit, konstatimi i Komisionit Evropian, se Qeveria Kosovës nuk është e gatshme të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, AKR ja e merr me shqetësim shumë të madh.
Qytetarët e Kosovës, mbetën të vetmit, që nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet perëndimore të Evropës apo Ballkanit Perëndimor, për shkak të defekteve tek politika udhëheqëse, e cila nuk e kupton mënyrën se si zhvillohen proceset politike dhe ekonomike në Evropën bashkëkohore, tha ai.
Ai kritikoi Qeverinë për premtime pompoze se së shpejti Kosova do ta ketë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Premtimet pompoze të bëra nga kreu i qeverisë dhe ministri i Integrimeve Evropiane se Kosova me së voni në shtator 2010 do të marrë Strategjinë (Udhërrëfyesin) e liberalizimit të vizave, ishte një lajthitje e radhës që kjo qeveri ja dhuron qytetarëve të saj, tha Mehmeti.
Sipas tij, mos përmbushja e kërkesave të parashtruara nga institucionet evropiane, mungesa e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mos krijimi i shtetit ligjor, problemi i monopoleve ekonomike, pasaportat biometrike, mos përpilimi i regjistrit civil, mungesa e një programi të reintegrimit të të kthyerve, do ta prolongojnë dialogun për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Falë kësaj politike denigruese, qytetarët e Kosovës, do të mbeten edhe për një kohë të gjatë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të izoluar. AKR vlerëson se ky koalicion qeveritar, nuk ka treguar kapacitete të mjaftueshme për të realizuar projektet madhore që janë në interes të qytetarëve të saj. Kjo është koha e fundit që ti lëshojë vendin një strukture të re udhëheqëse, e cila ka vizion dhe është e gatshme për ndryshime në favor të mirëqenies dhe interesave të qytetarëve të Kosovës, tha Mehmeti