AKR-ja thërret partitë opozitare për debat
Prishtinë, 20 tetor - Aleanca Kosova e Re ka thirrur për një tryezë të rrumbullakët të gjitha partitë politike opozitare për të unifikuar qëndrimet në lidhje me krizën. Për këtë qëllim, ne ftojmë publikisht, të gjitha partitë e spektrit politik të opozitës, AAK, LDD, Partinë e Drejtësisë, Partinë Socialdemokrate, Partia Socialiste, Lëvizjen për Bashkim, Lëvizjen Vetëvendosja, Frymën e Re, dhe çdo parti apo lëvizje opozitare në një takim në mjediset e parlamentit të Kosovës nesër datë 21, ora 11e gjysmë, thuhet në një njoftim për media të AKR-së.
Pas një mbledhje të kryesisë së ngushtë u diskutua për krizën e gjithanshme ku ka hyrë Kosova, u arrit në këto përfundime: kriza institucionale, politike, ekonomike, e Kosovës e ka bazën në qeverisjen e keqe të dy partnerëve të koalicionit qeveritar PDK dhe LDK në këto tre vjet, thuhet në komunikatën e AKR-së.
Sipas këtij subjekti politikë kriza u thellua më shumë me zinxhirin e shkeljeve kushtetuese që zënë fill me: ish presidentin e republikës që mbajti mandatin e Presidentit dhe kryetarit të LDK-së, njëherësh; , me tolerimin e kësaj shkeljeje prej PDK-së; me mënyrën e gabuar të zgjedhur për kalimin e detyrës tek ushtruesi i saj zoti Krasniqi; me braktisjen antishtetërore të detyrës prej ministrave të LDK-së, etj.
Sipas AKR-së kjo krizë dëmton para së gjithash interesat e qytetarit të Kosovës, i cili mbetet pa përgjigje për hallet dhe shqetësimet e tij. Ajo e fut shtetin ne një situate te vështire. Kjo krizë ndodh kur Kosova gjendet para sfidave jetike në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Në këto kushte, AKR-ja e sheh si të domosdoshme, unifikimin e qëndrimit të opozitës për gjetjen e rrugëve kushtetuese për daljen nga kriza. Nuk mund të vazhdohet me qëndrime të veçuara të secilës prej partive tona, por duhet një kapërcim i interesave personale në emër të Kosovës, atdheut tonë.
Për këtë qëllim, ne ftojmë publikisht, të gjitha partitë e spektrit politik të opozitës, AAK, LDD,Partinë e Drejtësisë, Partinë Socialdemokrate, Partia Socialiste, Lëvizjen për Bashkim, Lëvizjen Vetëvendosja, Frymën e Re, dhe çdo parti apo lëvizje opozitare në një takim në mjediset e parlamentit të Kosovës nesër datë 21, ora 11.30. Ftesa u është dërguar me shkrim të gjithë këtyre partive.
Kjo tryezë në nivel kryetarësh, sipas një agjende të pranuar me konsensus duhet të dalë me propozime dhe vendime konkrete për gjetjen e zgjidhjeve në përputhje me Kushtetutën, dhe interesin e qytetarit.