AKR dënon aktet e dhunës kundër KFOR-it
Prishtinë, 28 shtator - Aleanca Kosova e Re, denon fuqishëm aktet e dhunës të shkaktuara nga kriminelët serbë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe sulmin kundër forcave paqëruajtëse të KFOR-it dhe komunitetit ndërkombëtar.
AKR përmes një deklarate me shkrim vlerëson se është e domosdoshme që të vendoset rendi dhe ligji në tërë territorin e vendit, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sulmet e dhunshme të cilat ndodhën kundër ushtarëve të KFOR-it, janë reagime të njerëzve që i përkrahin strukturat kriminale, kontrabandën dhe krimin e organizuar.
Duke shprehur falënderim për angazhimin e forcave paqëruajtëse në funksion të stabilitetit në Kosovë, AKR iu uron shërim sa më të shpejtë pjestarëve të lënduar të KFOR-it dhe shpreson që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, sepse nuk janë në dobi paqes dhe të ardhmes evropiane të regjionit.