Akoma vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 1781 persona
Prishtinë, 27 prill - Shefi i EULEX, Xavier de Marnhac, me rastin e Ditës për të Pagjeturit në Kosovë ka thënë se edhe 1781 persona akoma vazhdojnë të jenë të pagjetur nga konflikti në Kosovë.
Prandaj sipas tij kjo është arsyeja pse EULEX-i po e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
Veç kësaj, lidhur me këtë çështje DML/EULEX sipas tij po bashkërendon në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, familjet veç e veç dhe me disa palë të tjera të interesit.
"Trembëdhjetë vite pas këtyre ngjarjeve tragjike që morën shumë jetë njerëzish, EULEX-i dhe DML-ja po vazhdojnë të kërkojnë dhe ti gjejnë mbetjet mortore të tyre. Deri më sot, familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të rreth 300 personave."
"Ky është rezultat i kërkimeve intensive dhe tri sezoneve të punës në terren, me gjithsej 310 operacione në terren. Janë analizuar mijëra dokumente dhe më shumë se 1300 mostra eshtrash janë dërguar për analizën e AND-së", ka theksuar Marnhac.
Ai ka shtuar se këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale. Përveç kësaj, kolegët tonë vendas do ti fillojnë hetimet e tyre për rastet e mundshme të identifikimeve të gabuara si dhe operacionet e tyre në terren, të ndihmuara nga ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore.
Mjekët e EULEX-it vazhdojnë ti mentorojnë dhe monitorojnë kolegët e tyre vendas në strukturimin e një departamenti modern të mjekësisë ligjore. E tërë kjo punë është duke u bërë me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve vendase të qëndrueshme, në mënyrë që Ministria e Drejtësisë të mund ta vazhdojë këtë punë në të ardhmen me profesionalizëm të lartë.
"Përpara na presin shumë sfida, por EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Departamentin për Mjekësi Ligjore në përpjekjet për të zbardhur fatin e atyre që nuk janë gjetur ende."