AKB: EULEX-i të largohet nga Kosova
Prishtinë, 28 korrik - Drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) kanë reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Veri të Mitrovicës dhe përkrahin qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare në veri të Kosovës.
AKB ka kërkuar që misioni i EULEX-it të largohet nga Kosova, për shkak se sipas tyre, ka dështuar në përmbushjen e misionit të tij.
Po ashtu, njoftuan se për familjen e policit të vrarë Enver Zymeri, kanë ndarë 5 mijë euro.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, të cilën e filluan me një minutë heshtje për policin e vrarë Enver Zymeri, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kritikoi institucionet ndërkombëtare që, sipas tij, nuk arritën të mbrojnë sovranitetin e vendit. Ai kërkoi nga EULEX-i të largohet tërësisht nga Kosova.
EULEX-i dështoi, duhet të shkojë për katër arsye: toleroi kontrabandën për tri vite ku u shkaktuan dëme në miliona euro, nuk zbatoi vendimin e qeverisë për të marrë masa të reciprocitetit, prodhoi dhunë dhe si pasojë mori jetën e një polici, nuk bashkëpunoi me policinë dhe doganat, i la vetëm në pikën 1, e lejoi të digjet kjo pikë, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.
Ai po ashtu ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për kthimin e sovranitetit në veri është vendimi më i drejtë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovë. Por, duke parë përkeqësimin e gjendjes atje, Shahini kërkoi nga qeveria që të vendosë sërish pjesëtarët e forcave speciale të policisë në të dy pikat kufitare.
I nderuar kryeministër Thaçi, vendosmëria juaj për të luftuar krimin e organizuar, informalitetin, korrupsionin dhe për të ruajtur territorin sipas Kushtetutës, neve dhe investitorëve të huaj na bën të sigurt. Aksioni juaj është plotësisht i drejtë dhe i mbështetur nga AKB-ja, kthim prapa nuk ka, në këtë rrugë nuk jeni vetëm, theksoi Shahini.
Ndërsa, zyrtarët e AKB-së, në konferencë thanë se janë duke u angazhuar për zëvendësimin e prodhimeve serbe, dhe iu bënë thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë prodhime të atij shteti.