Akademia Diplomatike marrëveshje me Qendrën George Marshall
Prishtinë, 29 maj Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Lt. Gen. (ret.) Keith W. Dayton drejtor i Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë, George C. Marshall, kanë nënshkruar të enjten një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kësaj Qendre dhe Akademisë Diplomatike të Kosovës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj e ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e marrëveshjes e cila ka për qëllim ofrimin e ndihmës në fushën e ndërtimit të kapaciteteve njerëzore dhe fuqizimit të diplomacisë kosovare.
Është një nder i veçantë që sot nënshkruam një memorandum të bashkëpunimit me Marshall Center që është një institucion i cili ka kontribuar shumë përmes bashkëpunimit të Kosovës dhe kësaj qendre të njohur në Evropë dhe përtej. Ne kemi shumë nevojë që të kemi bashkëpunim në fusha të ndryshme të jetës dhe Akademia jonë Diplomatike është institucion i ri dhe padyshim që në rrafshin e trajnimeve, vizitave, hulumtimeve ky memorandum i bashkëpunimit është një kornizë e cila në planin afatshkurtër dhe afatgjatë ia mundëson MPJ-së, Akademisë Diplomatike dhe shtetit të Kosovës që të rris kapacitetet e tij në shërbimin e jashtëm, tha Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka shtuar se kjo është një ditë e veçantë për Akademinë Diplomatike të Kosovës dhe gjithashtu për MPJ-në, se SHBA-të vazhdojnë të mbesin partner i fuqishëm i Republikës së Kosovës dhe se marrëveshja e bashkëpunimit tregon gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar shtetin e ri të Kosovës në diplomaci. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një partner i fuqishëm i ndërtimit të një Kosove euroatlantike dhe shërbimi i jashtëm është ndër institucionet më të rëndësishme që ka shteti i ri i Kosovës, tha Hoxhaj.
Nga ana tjetër, Lt. Gen. (ret.) Keith W. Dayton drejtor i Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë, George C. Marshall, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar edhe më tej shtetin kosovar duke kujtuar se Republika e Kosovës ka një rëndësi të veçantë për të.
Kosova ka një pozitë të rëndësishme në zemrën time sepse kam qenë këtu edhe në ditët më të vështira, kam qenë këtu gjatë luftës së saj dhe përtej. Dhe po kthehem këtu për tu ndjerë optimist dhe për të mbushur shpresat tuaja dhe për mundësitë që kemi ne në Qendrën Marshall në Amerikë dhe Gjermani për të ndihmuar për të ecur drejtë Evropës, ka thënë Dayton.
Lt. Gen. (ret.) Keith W. Dayton po ashtu ka shtuar se kjo Qendër është shumë e interesuar që të krijoj raporte me Akademinë Diplomatike, sepse siç ka thënë ai, Kosova ka një të ardhme të ndritshme. Dayton ka treguar se pritje të njëjta për shtetin kosovar ka edhe Republika Federale e Gjermanisë e cila gjithashtu siç ka thënë ai pret që Kosova të jetë vend i suksesshëm.
E di se po flas edhe në emër të Gjermanisë dhe ata e dinin që po vija këtu dhe po ua përcjellë pritjet e tyre të larta se ky vend do të jetë i suksesshëm dhe e dimë që do të jetë i suksesshëm dhe ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë diplomatët tuaj që të zhvillojnë procese diplomatike ndërkombëtare, ka deklaruar Dayton.
Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar të enjten është vazhdimësi e marrëveshjeve që Akademia Diplomatike e Kosovës po i realizon me institucione të rëndësishme ndërkombëtare