Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Turqisë nisin bashkëpunimin
Prishtinë, 3 gusht - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, dhe homologu i tij turk, Naci Koru, kanë nënshkruar të premten në Prishtinë Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Akademisë Diplomatike të Republikës së Turqisë.
Dy zëvendësministrat, kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet e fuqishme bilaterale ndërmjet dy vendeve, duke theksuar vullnetin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve tanë.
Zëvendësministri Petrit Selimi tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është pjesë e bashkëpunimit intensiv dhe shkëmbimeve të fuqishme ndërmjet dy shteteve.
Ai ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes në fjalë për diplomacinë kosovare, duke pasur parasysh traditën e gjatë dhe rolin e rëndësishme të diplomacisë turke në rajon dhe më gjerë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ajo e Turqisë kanë një bashkëpunim shumë të thellë për çështjet në Ballkan, për çështjet e Kosovës, për lobimin për njohje si dhe për situatën e gjerë në botë. Ne i përcjellim me kujdes lëvizjet në botën arabe dhe rolin pozitiv që e ka luajtur Turqia si lojtar aktiv në gjetjen e zgjidhjeve demokratike dhe paqësore për të gjithë popujt në këto treva dhe jemi mirënjohës dhe falënderues për këtë ndihmë që Republika e Turqisë po ia jep Kosovës si para pavarësisë, në procesin e njohjes së pavarësisë si një nga shtetet e para që e ka njohur Kosovën, si dhe tani kur shumë aktivisht Turqia po bëhet një nga investitorët më të mëdhenj ekonomik në Republikën e Kosovës, tha Selimi, para gazetarëve.
Në anën tjetër, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Naci Koru, ka theksuar se Kosova ka një rëndësi të posaçme për të diplomacinë, shtetin e popullin turk në përgjithësi.
Kosova është një vend që respektohet dhe duhet shumë nga Republika e Turqisë. Siç dihet ne e kemi njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës dhe ne përzgjedhim gjithnjë diplomatët tanë më të shkëlqyer për Kosovën sepse Kosova është shumë e rëndësishme për ne, tha Koru.
Ai po ashtu theksoi se prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Turqia ka bërë përpjekje të veçanta për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kosovën.
Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar, Zëvendësministri i Jashtëm turk, Naci Koru, ka theksuar se ky memorandum do të rris edhe më shumë bashkëpunimin akademik e diplomatik ndërmjet dy vendeve, dhe se në kuadër të saj diplomatët nga Kosova do të vijnë në Turqi, do të marrin pjesë në trajnime, simpoziume e konferenca të ndryshme si dhe do të kenë mundësi për shkëmbim të eksperiencave me diplomatët turq.
Lidhur me interesimin medieve rreth kontributit që po jep Turqia për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën , Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, tha se diplomacia turke po angazhohet fuqishëm në të gjitha format për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.
Ne që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës jemi përpjekur dhe komi kontribuuar që Kosova të njihet nga sa më shumë vende të ndryshme të botës. Siç dihet kemi ndikim edhe te vendet e ndryshme arabe dhe një numër i shteteve arabe tashmë veç e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, tha Koru.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, po ashtu ka theksuar bashkëpunimin e fuqishëm ndërmjet diplomacisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë edhe në drejtim të rritjes së numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën.