Akademia Diplomatike e Kosovës bëhet me selinë e saj në Prizren
Prizren, 24 maj - Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që ti jap Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, një objekt me vlera historike në qytetin e Prizrenit.
Objekti i cili ndodhet në qendër të Prizrenit, i njohur si Shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut, do të jetë selia e Akademisë Diplomatike të Kosovës.
Vendimi është marrë unanimisht në Kuvendin Komunal të Prizrenit, i paraprirë edhe nga një vendim i Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Prizreni, që objekti në fjalë ti jepet në pronësi të përhershme Akademisë Diplomatike.
Objekti në fjalë përmban vlera të veçanta arkitekturore dhe historike, ndërsa pronari i parë i saj, Shuaip Pashë Spahiu, ka qenë një ndër personalitetet e shquara që ka marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke shërbyer edhe si ministër i Financave në Qeverisë e Lidhjes së Prizrenit.
Vendimi në fjalë është hap shumë i rëndësishëm në konsolidimin e gjithanshëm të Akademisë Diplomatike të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të aktivitetit të tij, që nga themelimi i ka dhënë mbështetje të fuqishme Akademisë Diplomatike për konsolidimin dhe funksionalizmin e plotë të saj.
Në këtë kontekst, Hoxhaj e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vendimin e Komunës së Prizrenit për dhënien e këtij objekti për Akademisë Diplomatike, duke shprehur mbështetjen e tij për punën e mëtutjeshme të Akademisë.
Është vizion i Qeverisë së Republikës së Kosovës që Prizreni të jetë një qendër e rëndësishme e institucioneve shtetërore të Kosovës, dhe pas themelimit të Universitetit të Prizrenit, Akademia Diplomatike është institucioni i dytë i rëndësisë së veçantë që vendoset në qytetin e Prizrenit, ka thënë Hoxhaj, me këtë rast.
Drejtori i Akademisë Diplomatike, ambasadori Albert Prenkaj, duke falënderuar Komunën e Prizrenit për këtë vendim, e ka quajtur historik për Akademinë Diplomatike të Kosovës.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Akademisë Diplomatike, ky vendim përbën një kontribut shumë të madh për funksionalizimin e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, ka thënë Prenkaj.