Akademia Diplomatike do të ndihmojë politikën e jashtme
Prizren, 23 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Prizren, me çrast, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Njazi Kryeziu, ka vizituar objektin historik ku do të vendoset Akademia Diplomatike e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja dhe kryesuesin e KK-së Njazi Kryeziu për angazhimin e tyre rreth Akademisë Diplomatike, duke theksuar se ndërtesa e një aristokrati të qytetit të Prizrenit në kaluarën, po destinohet si seli e ardhshme e Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës.
Historikisht në Prizren, gjatë shekullit të 19 dhe të 20-të kanë qenë të vendosur diplomatë dhe konsuj të ndryshëm dhe si rrjedhojë Prizreni dallohet për traditën e tij në këtë aspekt. Misioni kryesor i Akademisë është që ta krijojë dhe prezantojë një mendim strategjik dhe ta ndihmojë politikën e jashtme në hartimin e planeve dhe dokumenteve strategjike afatshkurtra, afatmesme por edhe afatgjata, tha ministri Hoxhaj.
Ai po ashtu vlerësoi se Kosova ka nevojë që të ketë edhe mendim të krijuar mirëfilli strategjik, por edhe veprim ditor e dinamik në politikën e jashtme.
Kështu që, Akademia do të merret edhe me kualifikimin e stafit diplomatik dhe të diplomatëve të cilët do të duhet të jenë me shkathtësitë dhe njohuritë me të cilat ka nevojë politika e jashtme e Kosovës, tha Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi se deri më tash ky institucion është kompletuar me zgjedhjen e drejtorit, stafit tjetër administrativ si dhe ka nënshkruar marrëveshje të shumta me akademitë e vendeve kyçe, partnere të Republikës së Kosovës.
Me krijimin e kushteve të domosdoshme hapësinore për funksionimin e Akademisë Diplomatike, përmbyllet faza kyçe e themelimit dhe fillimit të funksionimit të plotë të saj, tha ministri Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Prizren.