Ahmeti: Zgjedhjet e parakohëshme, zgjidhja e vetme
Prishtinë, 5 shkurt - Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i partisë Vetëvendosje thotë se zgjidhja e vetme për krizën politike në Kosovë, janë zgjedhjet e parakohëshme.
\"Po nëqoftëse nuk ka ndonjë zgjidhje nga ato tre çështje, apo tre rrugë të cilat i ka vendosur opozita si opsione për të dalë nga kriza, nuk e shoh se si. Jo vetëm unë por edhe ne si opozitë në përgjithësi, por tash po shihet se edhe një numër i madh i qytetarëve - sepse dje kishim edhe një deklaratë të shoqërisë civile që kërkonte zgjedhje të parakohëshme - nuk shoh rrugë se si mund të dilet nga kriza.\"
\"Ose duhet të ketë tërheqje nga ato dy nënshkrime, ose është referendum për ato dy çështje, ose në rastin të cilin ne e kemi përmendur që tashmë është opsioni më i mundshëm, zgjedhjet e parakohëshme.\"
\"Pra tash kemi një situatë ku po shtyhet në çfarëdo mënyre zgjedhja e presidentit e që ne mendojmë se është si gabim në hapa, sepse po shkohet me një figurë apo një personalitet që nuk është personalitet unifikues, është më shumë përçarës, pra po flasim për Ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në një kohë kur ka një krizë të rëndë politike dhe të insistohet në zgjedhjet e tij, në këtë situatë në krizë, mendoj se vetëm do ta përçajë jo vetëm Kuvendin, por në njërën anë edhe do ta thellojë krizën qe kemi si shoqëri tashmë\", ka thënë Ahmeti.
Ahmeti, i cili ndodhet në Washington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se insistimi tek emri i Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, është përçarës dhe do ta thellonte krizën më tej.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ahmeti thotë se qeveria atuale nuk ka legjitimitet që të shtyjë përpara çështjet e demarkacionit të kufirit dhe të asociacionit të komunave serbe në veri.
\"Kemi një qeveri që nuk i ka fituar zgjedhjet duke thënë se do ta bëjmë demarkacionin dhe asociacionin serb në Kosovë dhe në anën tjetër janë këto dy çështje të cilat e kanë preokupuar qeverinë e Kosovës për një vit të tërë.\"
\"Dhe tash jemi bllokuar në dy çështje ku nuk ka legjitimitet kjo qeveri që ti shtyjë përpara dhe kemi protesta të cilat janë në rritje e sipër dhe mendoj se do të vinte deri tek një rilegjitimim, qoftë të njërës palë apo palës tjetër dhe mendoj se këto dy parti atëherë duhet të shkojnë dhe të kërkojnë votën bazuar në këto dy çështje.\"
\"Pra zgjedhjet janë gjithmonë një zgjidhje e mire për të mundësuar daljen nga kriza që të vijë deri tek një ridefinim i marrëdhënieve politike në një shtet sepse është e qartë që nuk është gjendja e njejtë siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Pra nuk është asnjëherë e thënë: ne kemi shtete shumë të ndryshme nëpër botë, demokratike që mbajnë zgjedhje jo vetëm kur përfundon mandati por kur ka ndonjë krizë dhe kur vihet në pyetje legjitimiteti i asaj qeverie dhe mendoj se në Kosovë kemi me të vërtetë një krizë të kësaj qeverisjeje jo vetëm nga opozita, por po e them nga qytetarët të cilat as edhe nuk janë anëtarë të partive opozitare e besa edhe të anëtarëve brenda këtyre dy subjekteve politike.\"
\"Pra kemi zëra të shtuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk duan ta votojnë Thaçin president, por në anën tjetër unë po e them që problemi kryesor është që janë shtyrë këto dy çështje me një presion të jashtëzakonshëm tek deputetët, kur dihet që nuk ka përkrahje për to as tek qytetarët që janë më me rëndësi në një republikë që qytetarët ta japin përkrahjen për diçka\", theksoi Ahmeti.