Ahmeti vizitoi çerdhen publike dhe bashkësinë lokale në Ulpianë
Prishtinë, 17 dhjetor - Kryetari i zgjedhur i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vazhdoi vizitat nëpër lagje të ndryshme të qytetit. Ai vizitoi çerdhen publike Gëzimi ynë në lagjen Ulpiana, ku u prit nga drejtoresha Nazlishahe Luma si dhe stafi i kësaj çerdheje.
Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u njoftua për së afërmi me problemet dhe sfidat që ka kjo çerdhe, e cika është më e madhja në Komunën e Prishtinës.
Këtu edukohen mbi 400 fëmijë, të ndarë në 22 grupe. Vetëm këtë vit, janë mbi 250 fëmijë që kanë aplikuar dhe janë në pritje, pasi që nuk ka hapësirë të mjaftueshme që të pranohen.
Karakteristikë tjetër e kësaj çerdheje është se fakti që është nga të rrallat ku edukohen dhe socializohen edhe fëmijët me nevoja të veçanta.
Shpend Ahmeti pas këtij takimi tha ndër të tjera se nga janari, do të fillojmë me vlerësimin e nevojave për çerdhe publike dhe deri në qershor do ta kemi planin aksional.
Pas përfundimit të vizitës së parë në këtë çerdhe, Ahmeti vizitoi Bashkësinë e IV-të lokale në Ulpianë. Aty u takua edhe me kryetarin e Bashkësisë së V-të lokale, Bashkësi kjo që nuk ka ende zyre por funksionon në objektin e njëjtë me të IV-tën.
Aty u fol për bashkëpunimin që do të kenë në të ardhmen, në mënyrë që të fuqizohen më shumë bashkësitë lokale. U diskutua për problemet e shumta që kanë këto bashkësi lokale, duke vendosur kështu bazat e bashkëpunimit qysh para marrjes së mandatit.