Ahmeti kërkon bashkëpunim me Prokurorinë
Prishtinë, 6 shkurt - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u takua me Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi, për të diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit mes Komunës dhe Prokurorisë në të ardhmen.
Në këtë takim u ngritën dy çështje me interes për Komunën e Prishtinës. E para, kishte të bënte me bashkëpunimin konkret në mes të Komunës dhe Prokurorisë, lidhur me informimin mbi aktakuzat e konfirmuara që i rëndojnë zyrtarët komunalë.
Kësisoj, Komunës i hapet mundësia të marrë vendime sipas ligjit, për secilin rast.
Çështja e dytë e diskutimit saktësoi procedurat e bashkëpunimit mes zyrtarëve të Komunës së Prishtinës me Prokurorinë, për rastet kur zyrtari në fjalë dyshon apo është dëshmitar i një veprimtarie të paligjshme e me pasoja penale.
Komuna e Prishtinës është e angazhuar plotësisht që të ketë bashkëpunim të afërt me Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që ta çrrënjosim njëherë e mirë krimin, korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, e të ngjashme, nga institucionet publike.