Ahmeti informoi Ramen rreth çështjeve me rëndësi për Kosovën
Prishtinë, 2 shkurt - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu pritën sot në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të shoqëruar nga Ambasadori, Qemal Minxhozi.
Në këtë takim u diskutua edhe për problemet aktuale në qeverisjen qendror, por gjithsesi edhe për tema të nivelit lokal.
Kryetari Ahmeti theksoi se përgjatë takimit, si Kryetar i Komunës dhe si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje!, e informoi Rama për qëndrimet rreth çështjeve me rëndësi për Kosovën, duke pasur parasysh problemet me veriun, negociatat dhe incidentet e fundit.
Ai falënderoi Kryeministrin Rama për këtë vizitë, duke i dëshiruar mirëseardhjes edhe në takime të tjera.
Në fund të këtij takimi, Kryeministri Rama falënderoi Kryetarin Ahmeti për mikpritjen, dhe shtoi se për të, takimet e tilla janë shumë të rëndësishme, ngase gjithmonë i intereson ta dijë mendimin e Vetëvendosje!-s për çështjet kryesore politike.
Është gjithmonë për mua me interes të veçantë të dëgjoj pikëpamjet e Shpendit si kryetar bashkie dhe si protagonist i politikës në Kosovë. Nuk është sekrete: kam gjithmonë interes ta di se çfarë mendon Vetëvendosje! për çdo gjë që ndodh, theksoi Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama.