AGPK, thirrje për bojkot të punës së Kuvendit të Kosovës
Prishtinë, 21 dhjetor - Të shqetësuar me hyrjen në fuqi të rregullores për qasjen e mediave në Kuvendin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës u bënë thirrje të gjithë anëtarëve gazetarë dhe mediave të vendit që të bojkotojnë punën e Parlamentit të Kosovës.
Bojkoti sipas AGPK-së hyn në fuqi duke filluar nga dita e sotme, 21 dhjetor 2011, dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.
Kjo rregullore është miratuar në Kryesinë e Kuvendit, nga të gjitha subjektet politike pralamentare dhe si e tillë tregon se ato nuk janë të interesuara për të krijuar kushte për punën e gazetarëve.
AGPK është e gatshme që me Kryesinë e Kuvendit ta diskutoj qasjen e gazetarëve në ambientet e parlamentit, për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për gazetarët.
AGPK në konsultim më anëtarët gazetarë në të gjitha mediat e Kosovës, vlerëson se rregullorja është diskriminuese dhe pengon punën e gazetarëve. Si e tillë ajo duhet të shfuqizohet dhe të hidhet në shqyrtim.
AGPK në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe me institucione tjera vendëse e ndërkombëtare, ka shprehur kundërshtimin për këtë rregullore. Përmbajtja e këtij dokumenti është hartuar pa e marrë parasysh vullnetin e gazetarëve dhe kontributet e tyre në disa punëtori gjatë hartimit të rregullores.