AGK e shqetësuar për zhvilimet në RTK
Prishtinë, 3 mars Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim letrën e 12 redaktorëve të RTK-së, të cilët janë ankuar për gjendjen në të cilën përballen në vendin e tyre të punës, siç kanë thënë, për shkak të censurës dhe ndërhyrjeve joprofesionale nga ana e eprorëve të tyre.
Njoftimi se disa redaktorë kanë qenë cak i kërcënimeve verbale, shantazheve dhe ndaj disa prej tyre janë iniciuar masa ndëshkuese, si pasojë e vendosmërisë për të mos i shkelur parimet profesionale përbën shqetësim të madh për AGK-në dhe duhet t`i alarmojë drejtuesit e RTK-së por edhe Kuvendin e Kosovës, si themelues të Transmetuesit Publik.
AGK konsideron se injorimi i shqetësimeve të ngritura të redaktorëve nuk e zgjidh problemin por përkundrazi e rrit edhe më shumë atë.
AGK kërkon që shqetësimet e redaktorëve të RTK-së të trajtohen me seriozitet të lartë gjithnjë në funksion të krijimit të kushteve për ushtrimin e profesionit të gazetarisë në mënyrë objektive dhe të paanshme, në shërbim të publikut.
Liria e veprimit, konfrom normave profesionale, është e drejtë universale e garantuar e cila nuk mund t`i mohohet askujt. AGK do të jetë në mbështetje të të gjithë gazetarëve dhe redaktorëve që mbrojnë parimet profesionale dhe do të kundërshtojë fuqishëm çdo tendencë për censurim të informatës.