Agani: Synojmë një shtet të drejtë
Prishtinë, 24 maj -Partia e Drejtësisë që nga themelimi i saj është angazhuar për një shtet të drejtë, ku respektohen të drejtat dhe liritë e çdo individi, për këtë dëshmon fakti që në këtë kohë kjo parti ka arritur të sensibilizojë edhe partitë tjera në këtë drejtim.
Kështu ka pohuar kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, gjatë një takimi me banorët e fshatit Stanoc i Ultë të Vushtrrisë, ku shpalosi objektivat e kësaj partie për katër vjetët e ardhshme.
Agani ka kërkuar nga qytetarët e Vushtrrisë, por edhe të mbarë Kosovës, që në zgjedhjet e 8 qershorit të votojnë njerëzit e drejtë, profesionistë që në vete përmbajnë integritet të lartë moral e etik, duke shtuar se këto vlera janë pjesë e programit të partisë që ai drejton.
Ai edhe njëherë ka qartësuar se nga shtatori nuk do të ketë shkelje të lirive dhe të drejtave të asnjë individi në vend, duke iu referuar vajzave që bartin shami, pasi që sipas tij, kjo punë ka marrë fund dhe se tashmë ekziston marrëveshja e nënshkruar me Kryeministrin, ministrin e Arsimit dhe atë të Administratës Publike.
Ndërsa, kryetari i PD-së në Vushtrri, që njëherësh është edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Abdullah Klinaku, ka potencuar se elektorati në këtë pjesë është i pajtuar që besimi i treguar më parë ndaj këtij subjekti politik të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi që ka bërë me dije se janë të mobilizuar dhe të vendosur për t\'i çuar proceset përpara.