Agani: Koalicioni PDK - AAK i bën mirë Kosovës
Prishtinë, 11 dhjetor - Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, ka thënë se do ta mirëpriste një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Në këtë intervistë për Epokën e re Agani ka thënë se një koalicion i tillë është shumë pozitiv për skenën politike. Jo që nuk i frikësohemi, por e shohim si shumë pozitiv.
Kur subjektet politike bashkohen njëra me tjetrën konsiderojmë se kjo është në të mirën e vendit tonë. Partia e Drejtësisë e mirëpret çfarëdo arritje të unitetit dhe të bashkëveprimit ndërmjet subjekteve në vend, në të gjitha nivelet, ka deklaruar Agani, duke shtuar se sa më i lartë të jetë uniteti ndërmjet subjekteve politike atëherë edhe fuqia dhe kualiteti i institucioneve do të jetë më i madh.
Fuqizimi i qeverisë dhe institucioneve të vendit në bazë të një uniteti të shtuar të subjekteve politike në vend vetëm sa do ta forcojë frymën demokratike dhe do ti shtojë gjasat për suksesin e Kosovës në përgjithësi dhe të kësaj qeverie në veçanti, ka thënë Agani. Ai ka folur edhe për procesin e dialogut politik me Serbinë, për të cilin ka thënë se është në dobi të shqiptarëve.
Agani ka thënë se ky dialog do ti përmirësojë dukshëm gjasat për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ndërsa duke e komentuar skandalin e përgjimeve, Agani ka thënë se në themelet e një shoqërie demokratike gjithmonë duhet të qëndrojë respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut.