Agani: Fitorja e AK Partisë, paraqet fitore të madhe të paqes
Prishtinë, 3 nëntor - Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që njëherësh është edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i ka dërguar telegram urimi, Kryeministrit të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu, me rastin e fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat AK Partia shënoi fitore bindëse, duke siguruar numrat e duhur për të qeverisë e vetme në katër vjetët e ardhshme.
Me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Turqisë, e uroj Shkëlqesinë e juaj, bashkëpunëtorët dhe përkrahësit vullnetmirë të partisë suaj për suksesin e madh të treguar si partia më e fuqishme e vendit tuaj. Duke ju dëshiruar suksese në punë, uroj që rezultatet e zgjedhjeve të jenë në të mirën e Demokracisë dhe të popullit të Turqisë, thuhet në urimin e kryetarit të PD-së.
Agani është thellë i bindur se fitorja e AKP-së në këto momente të trazirave serioze në regjionin e Lindjes së Mesme paraqet fitore të madhe të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Lajmin për vazhdimin e udhëheqjes së Qeverisë së Republikës së Turqisë nga ana Juaj, e pranova me kënaqësinë më të madhe dhe jam thellë i bindur se do të vazhdoni të kontribuoni në thellimin e marrëdhënieve të mira në mes të shteteve dhe partive tona. Me këtë rast, Shkëlqesisë suaj, familjes suaj dhe gjithë popullit turk, i dëshiroj shëndet dhe lumturi, duke shprehur konsideratat e mia më të larta, përfundon telegrami i urimit i kryetarit të PD-së, Ferid Agani, dërguar Kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davotoglu.