Agani: Është koha të reflektojë blloku
Prishtinë, 22 shtator - Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar se vetëm me marrëveshje politike do të tejkalohet ngërçi i krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Agani ka thënë se situata politike është mjaft e tensionuar dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve të vendit.
Në një intervistë për Epokën e re, ai ka shprehur optimizëm se liderët e partive politike do të gjejnë forcë për të arritur një marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit.
Situata politike në vend është mjaft e tensionuar, në kundërshtim me interesat e qytetarëve të vendit si dhe në kundërshtim të zhvillimit ekonomik e shoqëror në përgjithësi. Them se ky ngërç duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.\"
\"Rrugëdaljen nga ky ngërç politik që po e pamundëson formimin e institucioneve të vendit e shoh vetëm nëpërmjet arritjes së një marrëveshje politike ndërmjet partive të koalicionit të Misionit të Ri, përkatësisht të Partisë Demokratike të Kosovës si lidere e këtij koalicioni dhe partive të cilat janë grumbulluar në të ashtuquajturin bllok opozitar politik, ka deklaruar Agani.
Ai ka shtuar se deputetët e koalicionit LDK-AAK-Nisma-VV duhet të reflektojnë në mënyrë të përgjegjshme në obligimin e tyre kushtetues për ta zhbllokuar procesin e themelimit të institucioneve.
Mendoj se partitë e bllokut opozitar duhet të reflektojnë në mënyrë të përgjegjshme në obligimin kushtetues që ta votojnë kandidatin e propozuar nga koalicioni parazgjedhor, sepse ky është detyrim kushtetues dhe këtë e ka qartësuar Gjykata Kushtetuese duke përjashtuar çfarëdo mundësie që të votohet ndonjë kandidat i partive të tjera, sepse si grup më të madh parlamentar Kushtetuesja e ka definuar PDK-në dhe partnerët e saj të koalicionit, është shprehur Agani.
Sipas tij, është koha e qëlluar që presidentja e vendit të ndërhyjë në proces duke mbledhur liderët e partive relevante për të gjetur një emërues të përbashkët, i cili do ti bashkojë të gjithë rreth interesave të qytetarëve të vendit.
Lideri i PD-së ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë në interes të qytetarëve.
Agani ka folur edhe për tërheqjen e deputetit të PD-së, Gëzim Kelmendi, nga grupi parlamentar i PDK-së.
Ai ka thënë se ky vendim i Kelmendit nuk e luhat qëndrimin e Partisë së Drejtësisë që të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në.
/epoka e re/