18 Janar 2025

Afide Kuka, kandidate e VV për Kryetare të Kaçanikut

Prishtinë, 2 shtator - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencën e njëzetekatër me radhë, për të shpallur kandidatët për kryetarë të komunave, që do të garojnë në zgjedhjet lokale me 3 nëntor.

Ditën e premte, më 30 gusht, anëtarët e 7 pikave të Lëvizjes në Kaçanik kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë.

Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e premte.

“Kemi pritur 24 orë, dhe pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme, të shprehur në statutin dhe rregulloren tonë për zgjedhjet e brendshme. Sot, shpallim fituese të këtyre zgjedhjeve znj. Afide Kuka, e cila ka fituar 82% të votave”, tha Alban Dema nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
 
Pas Ajnishahe Shala-Halimit në Skenderaj dhe Arbërie Nagavcit në Gjakovë, Afide Kuka në Kaçanik është kandidatja e tretë grua Lëvizjes Vetëvendosje! që do të garojë për kryetare të komunës.

Në fjalën e saj të rastit, Kuka para të pranishmëve tha se këtë kandidim nuk e merr si privilegj, as si thjeshtë një mundësi për t’u ulur në karrigen e kryetarit të komunës, por si një përgjegjësi të madhe dhe të denjë përballë të gjithë qytetarëve të komunës së Kaçanikut.

“Unë besoj shumë se njerëzit e këtij vendi e duan ndryshimin, se vetë komunës i duhet një ndryshim pozitiv. I duhet një energji dhe forcë. I duhet një qeverisje adekuate që di, mundet dhe guxon t’i bëj realitet ndryshimet.”, tha znj.

Kuka, duke shtuar se kjo komunë duhet të çlirohet një herë e përgjithmonë prej ndikimeve dhe imponimeve që tash e 14 vite i bëhen nga individë a grupe të ndryshme, të cilët Kaçanikun e shndërruan në arenë të interesave të ngushta.

“Të tillët, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, do të përpiqen me çdo kusht që t’i ruajnë pozitat që kanë në pushtetin komunal të Kaçanikut dhe ndikimin e tyre në politikbërjen komunale edhe në këto zgjedhje”, tha mes tjerash Kuka.

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, pasi përgëzoi aktivistët e qendrës në Kaçanik për zgjedhjet e brendshme që kanë bërë, tha se zonja Afide Kuka, që nga rinia e saj është kyçur nëpër lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera nën ish-Jugosllavi.

“Ka qenë pjesëmarrëse aktive në demonstratat e vitit 1981, vit ky kur burgoset për herë të parë, por lirohet më pas në mungesë të provave. Zonja Kuka u dënua politikisht në dy procese gjyqësore: në të parin, në vitin 1985, me dy vite burg, kurse në të dytin në vitin 1988 me një vit e gjysmë burg”, tha Kurti përderisa fliste për biografinë e kandidates.

Duke folur për mundësinë e zhvillimit të bujqësisë në këtë komunë, Kurti tha se edhe pse ka shumë tokë pjellore, dihet që në Kaçanik janë rendimentet e ulëta, si rezultat i mungesës së subvencioneve në bujqësi, copëtimit të ngastrave, mos zbatimit të masave të duhura agroteknike, mungesës së ujitjes, makinerive bujqësore të vjetruara, mos mbjelljes së sipërfaqeve bujqësore ekzistuese, e të tjera.

“Një nga problemet kryesore të bujqve në Kaçanik është padyshim mungesa e sigurimit të tregut dhe mbrojtjes së produkteve nga importi i mallrave që për më tepër janë të subvencionuara në shtet prej nga ato vijnë”, shtoi Kurti.

“Alternativa Qeverisëse e Vetëvendosje!-s përbëhet nga tri shtylla kryesore që lidhen ngushtë me njëra tjetrën: shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe shteti social. Përmes saj ne synojmë të ndërtojmë një shtet të së drejtës, ku ka drejtësi dhe barazi për të gjithë dhe ku korrupsioni goditet së pari tek më të korruptuarit në majat e sistemit.\"

\"Ky shtet i së drejtës do të ishte shteti i mirëfilltë demokratik, që të çon kah zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror. Shteti zhvillimor ka për qëllim zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, rrjedhimisht zhvillimin e industrisë, bujqësisë, mbrojtjen e produkteve vendore, pronësinë e drejtpërdrejtë të shtetit në kompanitë apo asestet strategjike, e të tjera.\"

\"Ne angazhohemi që ky shtet zhvillimor të jetë edhe shtet social, pra të jetë edhe shtet universal edhe shtet solidar. Universal, sepse të gjithë paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe solidar sepse ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme”, tha në fund Kurti, duke shtuar se kjo alternativë, me angazhimin e znj. Afide Kuka si dhe aktivistëve tjerë nga kjo komunë, do të përkthehet në alternativë qeverisëse lokale për Kaçanikun.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)