Administrata është duke kaluar faza të rëndësishme të reformimit
Prishtinë, 2 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e grupit të veçantë mbi Reformën e Administratës Publike, që ka zhvilluar punimet më 1 dhe 2 qershor.
Në këtë takim të organizuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, janë zhvilluar diskutime të nivelit të lartë politik lidhur me arritjet në reformën e administratës publike, ishte i pranishëm edhe drejtori për shtetet e Ballkanit Perëndimor në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Jean-Eric Paquet.
Fjala e kryeministrit Mustafa në këtë takim.
I nderuar z.Paquet,
Të nderuar ministra,
I nderuari z. Thomas.
Ju falënderoj shumë që sot jeni së bashku me ne që të trajtojmë disa çështje që kanë të bëjnë me procesin e aplikimit dhe të zhvillimit të reformave të administratës publike në Kosovë.
Mund të them se institucionet e Kosovës në periudhën e fundit kanë kaluar në sfida dhe procese të shumta reformuese, dhe një ndër këto procese pa dyshim është edhe procesi i reformës së administratës publike, të cilën dëshirojmë ta bëjmë sipas standardeve evropiane. Prandaj, administrata jonë është duke kaluar faza të rëndësishme të reformimit, dhe po ballafaqohet me sfida, dhe mund të konsiderohet që ka pasur edhe progres të dukshëm.
Ky nivel i progresit është në veti një lloj arritje për të cilën meritor janë shërbyesit civil tek ne, dhe poashtu meritor janë edhe përkrahja dhe udhëzimet e dhëna nga Bashkimi Evropian dhe nga partnerët tjerë në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës synon të vazhdojë të ndërtojë administratë publike mbi parimet evropiane në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve, të bazuar në vlera ku përqendrimi kryesor i yni do të jetë ngritja e efikasitetit të punës së saj dhe përmirësimi i shërbimeve të cilat i ofron kjo administratë. Prandaj, kemi vendosur që ti qasemi me prioritet reformës së administratës.
Kjo reformë përbën një platformë, nga suksesi dhe rezultatet e së cilës varet zhvillimi ekonomik, varet zbatimi i politikave qeveritare në kontekst të gjerë, dhe sidomos ofrimi i shërbimeve cilësore qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kjo reformë ka qenë në vazhdimësi ndër prioritetet e Qeverisë, dhe ka qenë si instrument kyç i përmirësimit të cilësisë së shërbimeve si ndaj qytetarëve poashtu edhe ndaj bizneseve, dhe një ndër instrumentet e procesit integrues të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Në procesin e integrimit evropian, Kosova sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit, do të adresojë reforma konkrete, të cilat përmblidhen në tri shtylla themelore:
- Reformën e administratës publike;
- Qeverisjen ekonomike dhe në konkurrencën e tregut; si dhe
- Sundimin e ligjit dhe realizimin e të drejtave themelore të qytetarëve tanë.
Këto janë ndër shtyllat me të cilat ne duhet të identifikohemi para Bashkimit Evropian.
Nga diskutimet dhe punimet të cilat janë zhvilluar në grupin tonë për reformë të administratës publike, që është grup ndërministror, është aprovuar një kornizë strategjike, në mënyrë që ne të përmbushim dhe të përmbyllim detyrimet tona, edhe pse reforma nuk përfundon kurrë.
Këto detyrime janë të ndara në tri fusha të caktuara, në fushën të themi kushtimisht të Zyrës së Kryeministrit, që ka të bëjë me zhvillimin dhe koordinimin e politikave; me Ministrinë e Administratës Publike, që përfshin shërbimin civil, ofrimin e shërbimeve dhe llogaridhënien; dhe me Ministrinë e Financave, që ka të bëjë me menaxhimin e financave publike.
Shtylla e reformës e lidhur me zhvillimin dhe koordinimin e politikave, e reflektuar në Strategjinë për Planifikim të Integruar, është bazuar në dy objektiva themelore:
- së pari - konsolidimin e sistemit të planifikimit strategjik; dhe
- së dyti - ndikimin e politikave të reja në sferën ekonomike, përmes zbatimit të Strategjisë për Rregullim më të mirë.
Prandaj, në kuadër të përmirësimit të sistemit të planifikimit dhe koordinimit, dokumenti strategjik është fokusuar në ridizajnimin teknik të proceseve qendrore të planifikimit të politikave dhe poashtu edhe të planifikimit financiar të Qeverisë, e cila duhet të jetë mbështetje ndaj këtyre reformave.
Në seancën e nesërme, Qeveria do të shqyrtoj propozim-vendimin për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, dhe poashtu do të shqyrtoj Projekt-Strategjinë për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave, si sistem i planifikimit të integruar, gjë që mund të them se nesër ne e përmbyllim një pjesë që ka të bëjë me sferën e parë të detyrave tona që i kemi.
Sa i përket shtyllës së dytë, Qeveria e Kosovës ka hartuar Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike, e cila synon krijimin e kushteve që administrata të jetë e orientuar kah plotësimi i kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve, dhe të punoj për interesat e tyre, dhe përmes këtij dokumenti do të adresohet gjithashtu reduktimi i barrierave procedurale dhe administrative, ulja e kostos, dhe reduktimi i kohës së shpenzuar gjatë marrjes së shërbimeve administrative, dhe poashtu edhe racionalizimi i përgjithshëm i organizimit të administratës dhe ulja e kostos së kësaj administrate, ndërkaq do të rritet efiçienca e saj.
Në kuadër të shtyllës së tretë, sa i përket menaxhimit të financave publike dhe reformimit strategjik të tyre, është punuar mjaft me Ministrinë e Financave, është miratuar Strategjia për Kontrollin e Brendshëm Financiar, dhe përmes kësaj strategjie do të përmbushet një pjesë e reformave të nevojshme të menaxhimit të financave publike.
Ajo që është mjaft e rëndësishme, ne po punojmë tani në aplikimin e sistemit elektronik të prokurimit publik nga vjeshta e këtij viti, përmes së cilës ne do të lehtësojmë mënyrën e prokurimit dhe do të racionalizojmë shpenzimet, dhe poashtu do të arrijmë që të zvogëlojmë korrupsionin në këtë fushë të menaxhimit me paranë publike.
Dje është përcaktuar edhe një agjendë e përmbylljes së detyrave të caktuara deri në shtatorin e këtij viti. Meqenëse janë ministra të ministrive përkatëse këtu, unë po e lë që ata pastaj të prezantojnë agjendën se cilat detyra ne do ti përmbushim deri në shtator, përfshirë edhe Planin e Veprimit, përkatësisht Planin Aksional, të cilin ne do ta përgatisim gjatë muajit qershor, dhe do ta aprovojmë në shtator, përmes të cilit ne do ti përcaktojmë aktivitetet konkrete që do ti bëjmë, dhe poashtu do ti kostojmë këto aktivitete për periudhë të caktuar kohore, dhe për të gjitha ministritë, përkatësisht për të gjitha organet edhe të nivelit qendror edhe të nivelit lokal.
Ne do të dimë se si do ti zhvillojmë aktivitetet e mëtutjeshme, dhe se si në mënyrë të kushtëzuar do të ndërlidhen këto aktivitete edhe në pikëpamje horizontale, edhe në pikëpamje vertikale, në relacionin e administratës publike në pushtetin qendror dhe në pushtetin lokal.