AAK uron SHBA-të për 4 Korrikun
Prishtinë, 4 korrik - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uron ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Christofer Dell, stafin diplomatik amerikan në Kosovë, pjesëtarët amerikanë të KFOR-it, popullin dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
Në këtë ditë të shënuar, ne ndajmë gëzimin me secilin amerikan, nderojmë pavarësinë e vendit që përgjithmonë ishte në mbrojtje të demokracisë, lirisë dhe humanizmit kudo në botë.
AAK dhe populli i Kosovës do ti jenë përherë mirënjohës popullit dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e dhënë vendit tonë, në përpjekjet tona të djeshme për të fituar lirinë dhe në këto të sotmet për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë e vërtetë në Republikën e Kosovës, andaj festa e SHBA-ve është edhe festë e jona.
Populli i Kosovës do të jetë përherë partner i Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen dhe promovimin e vërtetë të vlerave të paqes, lirisë dhe të demokracisë kurdo dhe kudo në botë.