AAK shpreson të ndryshoj gjatë vitit 2015
Prishtinë, 8 janar - Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar veprimet në kuadër të procesit të brendshëm të reformimit. Në mbledhjen e sotme, Kryesia e AAK-së i është drejtuar me kërkesë të shkruar Këshillit Drejtues për të shpallur zgjedhjet në të gjitha nivelet e organizimit, si dhe me propozim për mbajtjen e Kuvendit të Punës së AAK-së.
Shpallja e zgjedhjeve të brendshme në AAK do të zhvillohet në kuadër të një procesi të gjithmbarshëm të reformave dhe konsolidimit të AAK-së, si parti që synon ndryshimin aq të domosdoshëm në Kosovë, ndërsa Kuvendi i Punës do të diskutojë për propozim-ndryshimet në Statutin e AAK-së.
Kërkesa e shkruar të Kryesisë së AAK-së drejtuar Këshillit Drejtues është bërë në respektim të normave statutare të AAK-së.
Kryesia e AAK-së vlerëson se ndryshimi gjatë vitit 2015 nënkupton fuqizim të AAK-së në të gjitha nivelet e organizimit në mënyrë që arrihet synimi i qytetarëve të Kosovës për ndryshimin e gjendjes së mjerueshme me të cilën përballet Kosova për çdo ditë. Ndryshimi dhe fuqizimi i AAK-së do të sjellë ndryshim në Kosovë.
Sfondi i procesit reformues
Paraprakisht, gjatë javëve të fundit të vitit 2014, strukturat e AAK-së në të gjitha nivelet kanë debatuar hapur dhe qartë për fillimin e reformave të politikave dhe reformave organizative brenda AAK-së.
Kërkesa për shpalljen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së është rrjedhojë e debatit të zhvilluar në disa mbledhje gjatë muajit dhjetor 2014 të Kryesisë së Zgjeruar të AAK-së, si dhe konkluzioneve dhe vendimeve të nxjerra nga ky organ i AAK-së, bazuar në Nenin 19 dhe Nenin 20, pikat 1 dhe 2 të Statutit të AAK-së.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Zgjeruar, të datës 23 dhjetor 2014, është vendosur për themelimin e tri Grupeve Punuese, si trupa përgatitor për zgjedhjet në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së, përkatësisht I) Grupi Punues për Avancimin e Programit dhe Statutit; II) Grupi Punues Organizativ; dhe III) Grupi Punues për Marrëdhënie me Publikun.
Debati për fillimin e procesit zgjedhor ka filluar në mbledhjen e Kryesisë së Zgjeruar, të mbajtur më 1 dhjetor 2014, ndërsa është paraqitur publikisht në tubimin publik të strukturave të AAK-së, më 13 dhjetor 2014.