AAK serish konfirmon Haradinajn për kryeminister
Prishtinë, 17 nëntor - Kryesia e Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), në Mbledhjen e mbajtur sot, 17 nëntor, shqyrtoi situatën politike në Kosovë, e cila karakterizohet me ngecjen e plotë në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryesia e AAK-së thekson në mënyrë të prerë që ka ardhë koha për mbajtjen e Mbledhjes konstitutive të Kuvendit të Kosovës, dhe për krijimin e Qeverisë së Kosovës. Durimit të qytetarëve të Kosovës po i vie fundi.
Politika dhe shoqëria kosovare sipas AAK-së kanë degraduar shumë në të gjitha aspektet e mundshme. Problemet ekonomike dhe sociale veç sa po shtohen përditë e më shumë. E gjithë kjo tatëpjetë që rrezikon qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës, duhet të ndalet në ditët në vijim me krijimin e institucioneve qendrore të Kosovës.
Kryesia e AAK sërish konfirmon zotimin e AAK-së për Marrëveshjen e 10 qershorit, e cila krijoi Koalicionin LDK, AAK, Nisma, së cilës marrëveshje më vonë iu bashkua edhe Lëvizja VV, duke nominuar, në emër të synimit për ta bërë ndryshimin thelbësor në politikën kosovare, Ramush Haradinajn, Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
\"Ramush Haradinaj dhe AAK si parti, në pesë muajt e kaluar kanë bërë gjithçka që Projekti i ndryshimit të madh të gjendjes në politikën kosovare dhe në shoqërinë kosovare të sendërtohet në plotëni.\"
\"Marrëveshja e 10 qershorit nuk mund të jetë peng i veprimeve të njëanshme të cilitdo subjekt që është pjesë e Koalicionit. Për më shumë, në atë rast, përgjegjësia e tërë, për dështimin eventual të Marrëveshjes së 10 qershorit, bie mbi atë subjekt politik dhe mbi udhëheqësinë e tij\", thekson AAK.
Kryesia e AAK-së, në Mbledhjen e mbajtur sot në Prishtinë, rithekson bindjen e saj që ndryshimet rrënjësore në politikën dhe në shoqërinë kosovare, kërkojnë një lidership të ri në Qeverinë e Kosovës, me Ramush Haradinajn si Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.