AAK reagon ndaj vendimit të Hagës për moslirimin e Haradinajt
Prishtinë, 11 shtator - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK me zhgënjim dhe shqetësim të thellë reagon ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës të 10 shtatorit, 2010, për të mos lejuar lirimin me kusht të Ramush Haradinajt, Kryetarit të AAK-së.
Nënkryetarit i Parë i Aleances për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala ka thënë: \"Siç kemi deklaruar më 21 korrik të këtij viti, kur në Tribunalin e Hagës u mor vendimi për rigjykimin e pjesëshëm të Kryetarit Haradinaj, të shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat më 3 prill 2008, zhvillimet politike në Kosovë dhe rreth Kosovës dëmtohen thelbësisht me mungesën e liderit të opozitës së Kosovës.\"
Kosovën në javët dhe muajt e ardhshëm sipas tij e presin sprova të mëdha, përballja me të cilat do të ishte shumë më e lehtë për politikën dhe shtetin e Kosovës, sikur midis nesh të ishte Kryetari Haradinaj.
Shala ka pohuar se në bazë të arsyetimit të vendimit të 10 shtatorit, të Tribunalit të Hagës, me të drejtë presim që rigjykimi i pjesëshëm i Kryetarit Haradinaj të fillojë së shpejti.
\"Jemi të sigurt që edhe kësaj radhe Kryetari Haradinaj do ta rikonfirmojë pafajësinë e tij dhe që ai do ti prijë AAK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në të cilat AAK do të dalë fituese, duke marrë përgjegjësinë për ti prirë Qeverisë së Kosovës.\"
AAK informon mediat dhe opinionin e gjerë që Besnik Tahiri, në emër të AAK-së është i autorizuar për të komunikuar me mediat për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rigjykimin e Kryetarit Haradinaj në Tribunalin e Hagës.