AAK: Raporti i GNK dëshmi për rrezikun e Kosovës
Prishtinë 27 gusht - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se Raporti i fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) është dëshmi e re paralajmëruese për rrezikun që i vjen Kosovës nga mundësia e ideve të reja për veriun e Kosovën.
Opsionet e propozuara nga GNK-ja për krjimin e autonomisë për veriun e Kosovës dhe aranzhmanet e reja brenda Kosovës janë të rrezikshme, destabilizuese dhe, si të tilla, të papranueshme për AAK-në dhe popullin e Kosovës.
Mbi të gjitha, AAK konsideron se tashmë është e qartë se përgjegjësia e situatës së krijuar në veri të vendit bie direkt në Qeverinë e Kosovës, e cila asnjëherë deri më tash nuk ka tentuar të zbatojë Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës në atë pjesë të territorit.
Raporti dhe opsionet e GNK-së për veriun e Kosovës dëshmojnë edhe njëherë se AAK ka pasur të drejtë të plotë saherë ka ngritur shqetësimet për rrjedhën e proceseve në atë pjesë të territorit.
AAK rithekson se është e përkushtuar plotësisht për funksionalizimin e shtetit të Kosovës, ruajtjen dhe fuqizimin e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, demokratizimin e shoqërisë, integrimet evro-atlanike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, bazuar në Kushtetutën e vendit.