AAK: Qeveria po i shtyp dhe diskriminon kategoritë sociale
Prishtinë, 7 shkurt - Këshilli Drejtues i Aleancës së Gruas së Kosovës, diskutoi sot shqetësimet e qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë, kategoritë sociale, që janë shtresa më e rrezikuar dhe më e varfër e shoqërisë në vendin tonë.
Donika Kadaj Bujupi, kryetare e Këshilli Drejtues i Aleancës së Gruas së Kosovës ka thënë së përveç se asistencat sociale nuk janë rritur që nga viti 2011, në anën tjetër ka patur rritje enorme të energjisë elektrike, ushqimit dhe kostos së gjithëmbarshme të jetës në vend.
Shteti sipas saj ka vazhduar të mos përkrahë këto kategori sociale.
Në vendin tonë janë mbi 120 mijë banorë që jetojnë me më pak se një euro në ditë.
Në anën tjetër, qeveria rrit shpenzimet për luksin dhe mobilimin e zyrave, duke i ndërruar ato nga qeveria e kaluar, rrit shpenzimet për telefona, dekore dhe luks të tepruar qeveritar.
\"Pra, qeveria shpenzon buxhet përtej planifikimeve për komoditetin e saj dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit, ndërsa qytetarët e vendit, po përballen edhe me heqjen apo largimin nga këto skema sociale\", ka theksuar Kadaj Bujupi.
Për Aleancën sipas saj kjo përbën shqetësim fakti se vetëm për dy muaj u hoqën mbi tre mijë familje të Kosovës nga skema sociale. Kurse, përgjigjja dhënë këtyre njerëzve, ka qenë banale: Ju nuk figuroni në sistemin kompjuterik.
Andaj, Aleanca thërret qeverinë e vendit që ti rikthejë këto familje në asistencën sociale, ngase këta njerëz nuk janë pasuruar dhe nuk është i punësuar ndonjë pjesëtar i familjeve të tyre.
Aleanca fton që me rishikim të buxhetit, qeveria të alokojë mjete shtesë që të rritet vlera e shumës sociale që ata marrin.
\"Gjithashtu, bëjmë të ditur që Grupi Parlamentar i AAK-së ka filluar përgatitjet për plotësim-ndryshimin e ligjit për skemat sociale, që të rritet limiti i moshës së fëmijëve mbi 5 vjeç, ngase konsiderojmë se nevojat e këtyre fëmijëve rriten bashkë me moshën.\"
\"E, në po këtë kuadër, i tërheqim vërejtjen Qeverisë së Kosovës për një padrejtësi tjetër që bënë ndaj një kategorie jashtëzakonisht të ndjeshme sociale në vendin tonë - ndaj kategorisë së fëmijëve më nevoja të veçanta dhe me sindromin daun\", ka theksuar ajo.
Kategoria e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe ata me sindromin daun, hiqen nga skema sociale në momentin që ata arrijnë moshën 18 vjeç. Andaj, pyetja është: Në moshën 18 vjeç, këta fëmijë a aftësohen për punë apo kanë nevojë për më shumë mbështetje sociale nga shteti?
Qeveria e këtij vendi duhet ta dijë se edhe kësaj kategorie, bashkë me moshën, i shtohet edhe nevoja për më tepër mbështetje nga shteti. Asnjë fëmijë me sindromin daun, në moshën 18-vjeçare nuk aftësohet për punë!
Aleanca, fton qeverinë që edhe të sëmurët kronikë të mos hiqen nga skemat sociale, që fëmijëve me sindromin daun dhe atyre me nevoja të veçanta të mos u hiqet mbështetja sociale e shtetit as pas moshës 18 vjeç, që procedurat e paraqitjes në çdo gjashtë muaj të atyre që marrin asistencë sociale të lehtësohen me paraqitje një herë në vit në institucionet përkatëse, që të ketë më shumë kujdes e të mos i harrojë kategoritë sociale të këtij vendi, mijëra prej të cilëve padrejtësisht dhe banalisht i kanë larguar nga skemat e asistencës.
Nën vorbullën e mashtrimit me faljen e borxheve publike, Qeveria e Kosovës po i diskriminon dhe shtyp kategoritë më të ndjeshme të këtij vendi, kategoritë sociale.