AAK: Qeveria po i deformon shërbimet publike në vend

Prishtinë, 23 korrik - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe Nënkryetarja Melihate Tërmkolli, njëherit kryesuese e Departmentit të AAK-së për Administratën Publike, sot, në një konferencë për media kanë potencuar defektet dhe dështimet e Qeverisë së Kosovës në administratën publike.
Me theks të vecantë është potencuar dështimi i qeverisë në menaxhimin e shërbimeve për qytetarë, posacërisht në periudhën e pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë nga diaspora që po qëndrojnë në Kosovë, po përballen me byrokraci të tepruar, në njërën anë, dhe me mosfunksionim të departamenteve të domosdoshme, në anën tjetër.
AAK, me këtë rast, konsideron se dëmi më i madh që po i shkaktohet vendit në këtë periudhë, është pikërisht komoditeti i pushtetit qeverisë dhe administratës publike, në raport me hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve tanë.
Në konferencë u trajtuan edhe dështimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth plotësimit të kritereve për MSA-në dhe liberializimin e vizave, vecanërisht dështimi në reformimin e administratës publike, si kriter kyc.
AAK konsideron se qeveria, në vend që ta reformojë administratën publike, ajo po e deformon atë skajshmërisht.
Shqetësim, gjithashtu, përbën edhe fakti se kjo qeveri është duke e privatizuar shtetin, me dukurinë e punësimeve familjare, të cilat partia në pushtet i ka quajtur vlera familjare.
Dështimi tjetër i Qeverisë së Kosovës është edhe humbja e projektit me vlerë prej katër milionë eurove për rishikimin funksional të administratës, mospërfillja e rekomandimeve të FRIDOM-it, stërmbushja e administratës publike dhe shndërrimi i Zyrës së Kryeministrit (ZKM-së) në një miniqeveri të vendit.
AAK ka potencuar sot si shqetësim edhe faktin se Qeveria e Kosovës ende vazhdon të funksionojë pa ligj për qeverinë dhe me rregulloren e vjetër të UNMIK-ut, gjë e cila po i konvenon qeverisë për të masakruar edhe më tej administratën publike në vend.
AAK e ka potencuar si shqetësim të thellë dhe dështim të qeverisë edhe mbylljen e Departamentit të Patentë-Shoferëve, në këtë periudhë dhe shkuarjen në pushim kolektiv të të gjithë punëtorëve të këtij departamenti.
Kur mbyllet një segment i shtetit, d.m.th. shteti nuk funksionon dhe ndalet vullnetshëm. Në këtë situatë, ministri i Infrastrukturës në përgjegjësi, së paku do të duhej të japë dorëheqje, vlerëson AAK-ja.
Në fund të konferencës për medie, AAK ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ristrukturojë urgjentisht administratën publike, ta profesionalizojë, ta bëjë efikase dhe të zbatojë me përpikëri rekomandimet e FRIDOM-it, si mënyrë që qytetarët ta kenë me të vërtetë një administratë publike në funksion të inetersave dhe nevojave të tyre.