AAK përshëndetë vendimin e NATO-s për FSK-në
Prishtinë, 9 korrik - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përshëndet vendimin e NATO-s për deklarimin e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmbushja e këtyre kapaciteteve ishte një ndër objektivat tona të përbashkëta për të ndërtuar forcën tonë të sigurisë konform standardeve ndërkombëtare.
Ajo, po ashtu, është dëshmi se Republika e Kosovës po ecën sigurt drejt të qenit faktor real i paqes dhe sigurisë më gjerë në rajon dhe botë, si dhe garantuese e plotë e saj për të gjithë qytetarët e vendit.
Ky vlerësim i NATO-s për FSK-në është patjetërsueshëm rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të të gjithë pjesëtarëve dhe eprorëve të kësaj force, në punën e tyre të pandalshme për ndërtimin e Kosovës shtet demokratik, i lirë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët tanë.
Kjo duhet të akceptohet nga të gjithë ne si motiv shtesë për të qenë përfundimisht Kosova pjesë e të gjitha strukturave euroatlantike, si synim kryesor i qytetarëve tanë dhe i secilit prej nesh.