AAK në koalicion me PDK, AKR mbetet jashtë
Prishtinë, 16 janar - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të jetë partneri i koalicionit për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) duke përjashtuar Aleancën për Kosovën e Re (AKR).
Kjo marrëveshje parimore, por ende e pakonfirmuar zyrtarisht përjashton Aleancën për Kosovën e Re (AKR) të Behgjet Pacollit nga koalicioni dhe ky ka qenë edhe kushti i AAK-së.
Parimisht është arritur kjo marrëveshje dhe pritet të zyrtarizohet. Një ndër kushtet tona ka qenë që AKR të mos përfshihet në koalicion, theksoi përfaqësuesi i AAK-së në kushte anonimiteti.
Në koalicionin e ri do të jetë edhe Lista Ibrahim Rugova duke përfshirë edhe deputetë që do të bashkëngjiten nga radhët e LDK-së. Gjithashtu nuk përjashtohen edhe deputetë të Partisë së Drejtësisë (PD), të cilët do të largohen nga koalicioni Aleanca për Kosovën e Re.
Detajet e marrëveshjes PDK dhe AAK pritet të formalizohen dhe se në kuadër të negociatave do të jetë edhe posti i presidentit, ndërsa kandidatura do të jetë një figurë e pranueshme për dy partitë, por që do të vijë nga radhët e AAK-së.