AAK: Ndalja e Haradinajt në Francë është kidnapim i pastër politik
Prishtinë, 26 shkurt - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot mblodhi Këshillin e Drejtues në një takim të jashtëzakonshëm, me dy tema për diskutim; situata e mbajtjes së Haradinajt në Francë dhe çështja e Demarkacionit.
Pasi përfundoi takimit, në një konferencë për media doli nënkryetari i partisë, Ardian Gjini i cili tha se ndaljen e mëtejshme të Kryetarit Ramush Haradinaj në Francë, tash e tutje e konsiderojmë kidnapim të pastër politik.
Kryetari Haradinaj sipas AAK-së është ndaluar në Francë pas ndërhyrjes së Serbisë dhe në bashkëpunim me kundërshtarët e Kosovës.
Në emër të Këshillit Drejtues të AAK-së, Gjini kërkoi që organet organet franceze të mos i nënshtrohen fletarresteve të Serbisë.
Gjithashtu, ai tha se Këshilli Drejtues i bënë thirrje autoriteteve kosovare që të reagojnë lidhur me këtë rast, por jo siç kanë bërë deri më sot. Sipas tij, ky proces nuk ka të bëjë me individin por ka të bëjë me Kosovën.
Sa i përket demarkacionit, Gjini tha se ne rikonfirmojmë se është i gabueshëm raporti i nxjerr nga komisionet qeveritare për shënjimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, nga aty vetëm Kosova humb territor.
Ky version i demarkacionit sipas AAK-së është në kundërshtim me interesin nacional të Kosoves pasi qe parasheh që Kosovës ti merren disa mijëra hektarë tokë, prandaj është i papranueshem.
Gjini ka theksuar se kalkulimet se ky version i demrakacionit është kusht për vizat, është një kushtëzim i pandershëm që është sajuar nga udhëheqja shtetërore e Kosovës.
\"Nuk mund të pranohet asnjë kushtëzim në dëm të territorit të vendit. Askush nuk ka të drejtë të bëj pazar me territorin, pavarësisht pasojave.\"
\"Deputetët dhe udhëheqja shtetërore do të mbajnë përgjegjësi politike, morale e historike nëse nuk do ta kuptojnë se nuk kanë as fuqi, as mandat që ta tjetërsojnë territorin e vendit\", konsideron AAK.
Çmimi i kalimit eventual të këtij versioni sipas AAK-së mund të jetë shumë më i lartë se sa kundërshtimi i tij.
Kosova nuk ka pse të jetë rast i ndryshëm nga shtetet tjera që kanë pasur konteste me kufijtë e tyre.
Demarkacioni duhet të mos votohet dhe kjo çështje të shkoj në rinegocim me Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe arbitrazhin ndërkombëtar si zgjidhje.
AAK do ta kundërshtoje këtë version me të gjithë mekanizmat që janë në dorën e saj.