AAK: Migrimi po ndodhë si rezultat i problemeve ekonomike e sociale
Në këtë tryezë u konstatua se migrimi ilegal është dukuri e cila po i sjellë shumë të këqija Kosovës. Migrimi ilegal ndikon në stagnimin e zhvillimit dhe prosperitetit në vend.
Sipas asaj që u tha në tryezë, migrimi po ndodhë si rezultat i problemeve të mëdha ekonomike dhe sociale.
Ndër diskutuesit kryesorë ishin: Jahja Lluka, kryesues i Departamentit të AAK-së për Diasporë, i cili tha se para nesh paraqitet një detyrë e rëndësishme; duhet ti bëjmë me dije qeverisë së tanishme, e cila që në start tregoi se për çka realisht është e interesuar, duke e parë numrin aq të madh të ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe akomodimet e njerëzve të vetë, që nga dita e parë e punës.
Duke i parë të gjitha këto, nuk na mbetet asgjë tjetër, por vetëm të angazhohemi më të gjitha forcat që të ndikojmë, që të mos lejojmë të na përsëriten të këqijat e dy mandateve të qeverisë së kaluar edhe nga kjo e sotmja, ka thënë Lluka.
Në emër të Aleancës së Gruas foli Magbule Shkodra, e cila para të pranishmëve prezantoi në menyrë statistikore të dhënat për migrimin e qytetarëve të Kosovës dhe arsyet pse po ndodhë kjo.
Si arsye kryesore e migrimit ilegal, sipas znj. Shkodra, është standarti i ulët jetësor, ku shkalla e varfërisë është 30 për qind, ndërsa ajo e varfërisë ekstreme është 11 për qind.
Po ashtu prezent në këtë tryez ishte edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, znj. Donika Kadaj Bujupi, e cila theksoi se kjo dukuri e ka prekur moshën rinore, e cila shkon deri në 15-vjeçarët.
"Kjo dukuri është mjaft shqetësuese, ku femijët edhe pa shoqërimin e prindërve marrin rrugën e migrimit ilegal."
"Si grup parlamentar i AAK-së do të jemi të zëshëm në Kuvendin e Kosovës, për këtë temë do të bëjmë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet kjo temë që duhet të ishte ndër temat kryesore dhe shumë shqetësuese për institucionet e vendit, të cilët më shumë se për gjithçka tjetër po interesohen për akomodimin e vetes së tyre", theksoi Kadaj Bujupi.
Në këtë tryezë kishte pjesëmarrës edhe nga shoqëria civile, të cilët merren me temat e migrimit.