AAK kërkon shpalljen e zgjedhjeve në Rahovec
Prishtinë, 28 shtator Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkon shpalljen e zgjedhjeve në Rahovec.
Besnik Tahiri anëtar i AAK-së tha se në vazhdimësi e ka konsideruar ndërhyrjen e Kryeministrit të Kosovës me rastin e rikthimit të kryetarit të Komunës së Rahovecit Qazim Qeska, si një ndërhyrje dhe akt të kundërligjshëm dhe antikushtetues.
Ne vlerësojmë se kjo ndërhyrje ishte një akt antikushtetues dhe fyerje për qytetarët e Rahovecit dhe të gjithë Kosovës, si dhe tendencë për ta uzurpuar komunën e Rahovecit, tha Tahiri.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vepëruar drejtë që ka vendosur të ketë zgjedhje në Rahovec. Fatmirësisht, dje edhe vet Gjykata Kushtetuese konstatoi se akti i ndërhyrjes së kryeministrit ishte shkelje e rëndë të Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi, tha ai.
Me këtë rast, AAK kërkon nga U.D. së Presidentit të vendit Jakup Krasniqi, bazuar në mandatin kushtetues dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që brenda afatit më të shkurtër kohor, të bëjë shpalljen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kryetar të Komunës së Rahovecit, tha Tahiri në një konferencë për media.