AAK kërkon dorëheqjen e kryeministrit Thaçi
Prishtinë, 22 mars - Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, gjatë një konference për shtyp, ka deklaruar se qeveria Thaçi ka humbur mbështetjen e qytetarëve për 20%. Ai ka akuzuar qeverinë aktuale për ngritje të luksit në dëm të qytetarëve të vendit, të cilët i ka kapluar papunësia dhe varfëria. Ramadani tha se keqqeverisjen më së miri e dëshmon fakti se brenda një kohe shumë të shkurtër, Kosova është mbuluar nga raportet dhe analizat tepër negative për qeverisje në vend. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, sipas Ramadanit, Thaçit nuk i ka mbetur rrugëdalje tjetër përveç dorëheqja e tij e menjëhershme.
Ramadanit tha se raporti i fundit i Paralajmërimit të hershëm, i publikuar nga Misioni i UNDP-së në Kosovë, tregon çartë se tashmë qeveria Thaçi ka humbur mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.
Tashmë në mars 2010, besimi i qytetarëve për qeverinë Thaçi ka rënë për rreth 20 për qind, në krahasim me shtatorin 2009. Vetëm 36 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur. Dhe, se ky është sinjal i qartë për secilin politikan serioz, tha Ramadani.
Sipas AAK-së, arsyet e humbjes së besimit janë tepër të mëdha, duke filluar nga korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e vendeve të reja të punës, mungesa e investimeve, varfëria, premtimet e papërmbushura e deri të mentaliteti komunist i qeverisjes.
Megjithatë qeveria Thaçi po rrit maksimalisht pesimizmin politik të popullit të Kosovës. Sikurse thuhet në raport, në krahasim me shtatorin e 2009, kjo anketë tregon rritje për 8 për qind, në pesimizmin politik të të intervistuarve, tani duke qëndruar në 41 për qind, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së.
Ramadani gjithashtu potencoi, qytetarët i ka kapluar papunësia dhe varfëria, përderisa qeveria Thaçi vazhdon të rris luksin e vet. Ai, duke cituar raportin në fjalë, tha se papunësia dhe varfëria janë përmendur nga shumica e të anketuarve si dhe faktorët kryesorë të kërcënimit ndaj stabilitetit të vendit.
Megjithatë Sekretari i AAK-së, bëri një krahasim me te njëjtin standard, me të njëjtin raport që ka bërë UNDP, në periudhën janar-mars 2005, ku në krye të qeverisë ka qenë Kryeministri Ramush Haradinaj, kënaqshmëria e qytetarëve në qeverinë Haradinaj ka qenë 81.2 për qind ndërsa, tash për Kryeministrin Thaçi, është 36 për qind.
Ramadani u shpreh se e vetmja rrugëdalje për Kryeministrin Thaçi, pas humbjes së besimit të qytetarëve, është dorëheqja e tij e menjëhershme.
Kërkesa e Ramadanit për dorëheqjen e Qeverisë Thaçi, vjen disa ditë pasi deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi kishte thënë se riformatizimi më i mirë i qeverisë do të ishte largimi i Thaçit.
AAK duke komentuar raportin e fundit të publikuar nga UNDP sipas të cilit raport, ka rënë besimi i qytetarëve në institucionet e vendit, AAK konsideron se qeveria Thaçi ka humbur mbështetjen e qytetarëve të Kosovës. Në raste të tilla kryeministri duhet të jap dorëheqje, tha sekretari i përgjithshëm i AAK-së Burim Ramadani.